Lidhje

Lufta kundër militantëve të Shtetit Islamik


Siria dhe Shtetet e Bashkuara po sulmojnë militantët e Shtetit Islamik të cilët kanë zhvendosur mijëra civilë në Siri dhe në Irakun verior. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamenti e Shtetit, Scott Stearns, sulmet ajrore amerikane në Irak mund të shtyjnë militantët drejt kufirit sirianë dhe të kthejnë vëmendjen në luftën kundër presidentit sirian Bashar al-Asad.

Ndërsa luftëtarët e Shtetit Islamik po pushtonin territore të shumta në Irak në javët e fundit, trupat siriane kanë luftuar me intensitet të lartë kundër tyre dhe kundër rebelëve të opozitës duke rifituar terren në afërsi të aeroportit të Damaskut dhe duke vazhduar bombardimin e pozicioneve të militantëve pranë kufirit. Ndërkohë, civilët vazhdojnë të largohen nga luftimet, thotë Sarah Margon e organizatës Human Rights Watch.

"Ne jemi duke parë një shkallëzim të konfliktit, një situatë brutale jo vetëm në Siri, por edhe në Irak, ku sigurisht kufijtë mes këtyre dy vendeve janë gjithnjë e më të paqartë".

Por duke u përballur me një kundër-sulm të forcave kurde, Peshmerga dhe paaftësisë për t'iu kundërvënë sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara në Irak, analisti i Institutit Amerikan të Paqes, Steve Heydemann thotë se luftëtarët e Shtetit Islamik mund të kthejnë fokusin te Siria.

"Kjo në fakt ka shumë të ngjarë të jetë faza e ardhshme e aktivitetit të tyre, nëse operacionet amerikane në Irak do të ngadalësonin përparimet e tyre atje. Kjo do t’i nxiste ata të kthejnë vëmendjen në një front ku amerikanët nuk janë të pranishëm".


Ai thotë se me armët dhe territorin që kanë kapur në Irak, militantët e Shtetit Islamik tani mund të jenë në një pozitë më të fortë për t’u përballur me forcat e qeverisë siriane.


"Ata mund të kenë arritur në një pikë në të cilën mund të bëjnë një ndryshim taktik. Duke siguruar një bazë të qëndrueshme, ata ndoshta mund të kthejnë plotësisht vëmendjen në luftën kundër regjimit të Assadit".

Edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulmet ajrore kundër të njëjtit grup me të cilin po luftojnë forcat e qeverisë siriane, kjo nuk do të thotë se Uashingtoni dhe Damasku kanë synime të përbashkëta, thotë Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf.

"Edhe pse ne tani mund të kemi në shënjestër disa objektiva të njejta, operacione kundër grupeve të njejta, unë mendoj se regjimi i Assadit është ai që ka lejuar ISIS-in të rritet dhe të forcohet deri në këtë pikë".


Zoti Heydemann thotë se Presidenti Assad shumë shpejtë do ta kuptojë se kjo aleancë e hershme me ISIS-in kundër kundërshtarëve më të moderuar në Siri ka qenë një lëvizje e gabuar.

"Regjimi sirian do ta kuptojë se krijimi i kushteve që lejoi rritjen e ISIS-it, përmes masave të drejtpërdrejta si lirimi i militantëve nga burgjet siriane, të cilët më pas u bashkuan me ISIS-in, do të krijojë probleme më të mëdha se sa mendohej më parë".

Një problem nga i cili, të paktën tani për tani, forcat siriane janë duke marrë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare e cila gjitashtu po lufton kundër Shtetit Islamik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG