Lidhje

Luftime në Ukrainën lindore


Sot nisën luftimet pranë një qyteti nën kontrollin e rebelëve në Ukrainën lindore, ndërsa forcat ukrainase filluan një operacion ushtarak kundër separatistëve prorusë. Gjatë sulmit të sotëm në qytetin Slovyansk, forcat proruse rrëzuan dy helikopterë ukrainas duke vrarë dy pilotë.

Pas luftimeve në rrethinat e Slovyanskut mes forcave pro-ruse dhe atyre ukrainase që shkaktuan tre të vdekur, banorët e qytetit ndërtuan sot barrikada të reja për të parandaluar hyrjen e trupave ushtarake të Ukrainës. Banorët përdorën objekte metalike dhe druri, si dhe goma automjetesh për të ndërtuar barrikadat në rrugët kryesore të Slovyanskut, prej shqetësimit se forcat speciale të policisë dhe njësitë e ushtrisë së Ukrainës mund t’i sulmonin.

“Jemi këtu për t’u siguruar që asnjë person i ushtrisë të mos hyjë në qytet. Jemi duke mbrojtur tokën tonë, fëmijët tanë,” - thotë një banore e Slovyanskut.

Slovyansku, që aktualisht është në duart e milicisë pro-ruse, është bërë qendra e kryengritjes.

Ministri i Brendshëm Arsen Avakov tha në faqen e tij në Facebook se Ukraina kërkon që rebelët prorusë të lirojnë pengjet, të ulin armët, të largohen nga objektet që kanë konfiskuar dhe të rivendosin funksionimin e infrastrukturës lokale.

Ndërsa në Moskë, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin u shpreh se sulmi i sotëm i Ukrainës i dha një goditje të fundit marrëveshjes së brishtë të paqes që synonte uljen e tensioneve në krizën ukrainase. Zoti Putin kërkoi dje që Ukraina të tërheqë të gjithë personelit ushtarak nga rajoni i trazuar pranë kufirit rus. Ai e bëri kërkesën gjatë një bisede telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila ndodhet sot në Uashington.

Dje, Presidenti i përkohshëm i Ukrainës Oleksandr Turchynov nënshkroi një dekret për rikthimin në vend të shërbimit ushtarak të detyruar për t’u përballur me forcat proruse që kanë konfiskuar ndërtesa qeveritare në dhjetëra qytete rusisht-folëse të Ukrainës lindore.
XS
SM
MD
LG