Lidhje

Presidenti Obama dënon vrasjen e pengut amerikan në Jemen


Fotoreporteri amerikan Luke Somers dhe mësuesi afrikano-jugor Pierre Korkie u vranë gjatë një përpjekjeje për shpëtimin e tyre të ndërmarrë nga komandot amerikane sot në Jemen.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel konfirmoi sot se Somers dhe Korkie, ishin vrarë nga rrëmbyesit, anëtarë të Al-Kaidës në Gadishullin Arabik gjatë një përpjekje për shpëtimin e tyre, kryer nga forcat amerikane dhe jemenase në rajonin jugor të Shabwas. Të dy ata ishin mbajtur peng që prej më shumë se një viti.

Sekretari Hagel shprehu ngushëllimet për familjet e Somersit dhe Korkiet.

Zoti Hagel tha se disa terroristë u vranë gjatë përpjekjes për shpëtimin e pengjeve, e cila u realizua pasi kishte "arsye të forta për të besuar se jeta e zotit Somers ishte në rrezik".

Presidenti Barak Obama e dënoi atë që ai e quajti "vrasje barbare" të zotit Somers "në duart e terroristëve të Al-Kaidës". Ai tha se kishte autorizuar përpjekjen për shpëtimin e zotit Somers dhe "të të gjitha pengjeve që po mbaheshin në të njëjtin vend".

Sekretari i Shtetit John Kerry tha se operacioni i shpëtimit ishte një "kujtesë e brutalitetit" të terroristëve të Al-Kaidës në Gadishullin Arabik.

Organizat bamirëse për të cilën punonte zoti Korkie, Gift of Givers, tha se vdekja e punonjësit të tyre nga Afrika e Jugut ndodhi një ditë para se ai pritej të lirohej pas më shumë se një viti në robëri.

Sot më parë, zyrtarët e Jemenit thanë se një sulm me avion pa pilot që dyshohet të jetë kryer nga amerikanët kishte në shënjestër një zonë në provincën jugore Shabwa, duke vrarë nëntë militantë të Al-Kaidës.

XS
SM
MD
LG