Lidhje

Luksi në Kinë


Kina po merr masa kundër korrupsionit. Reklamat për mallrat e luksit janë të ndaluara dhe për zyrtarët është bërë e rrezikshme të tregojnë pasurinë e tyre. Por megjithë masat shtrënguese dhe ekonominë në ngadalësim të Kinës, kërkesa kineze për mallrat luksoze vazhdon të jetë e lartë.

Në qytetin-port të pasur të Shangait, dyqanet luksoze janë si puna e dyqaneve të rëndomtë, ka një pothuajse në çdo cep. Kina është tregu i dytë më i madh në botë për markat luksoze. Analisti Pablo Mauron është pozitiv për të ardhmen.

“Ka disa shenja që ekonomia është ngadalësuar. Në të njëjtën kohë, ne shohim që firmat e shtrenjta janë ende të sigurta në të. Ata vazhdojnë të investojnë shumë në Kinë, duke hapur dyqane të rinj. Në Shangai, qendra të reja tregtare hapen gati çdo muaj.”

Pas vitesh rritjeje të shpejtë, ekonomia e Kinës po qëndron rreth 7,5 për qind. Të turpëruar nga skandalet e korrupsionit të cilët kanë nxjerrë në pah pasurinë e elitës së Partisë Komuniste, qeveria ka ndaluar festimet e mëdha, dhënien e dhuratave, dhe shfaqjen ekstreme të pasurisë. Edhe pse kjo mund të ndikojë negativisht tek shitësit, zoti Mauron thotë se kompanitë tani për tani nuk janë të shqetësuara.

“Sfida kryesore, pa marrë parasysh rrethanat, mendoj se është ende e njëjtë, e cila është se si të rritet konsumi lokal dhe si të gjenden disa arsye për të shtyrë blerjen brenda në vend kur konsumatorët e dinë se është më shtrenjtë.”

Mallrat luksoze janë edhe më të shtrenjta në Kinë se sa jashtë shtetit, për shkak të importit të lartë dhe të taksave mbi konsumin. Kjo ka nxitur shumë kineze të blejnë jashtë vendit, në kërkim të çmimeve më të mira.

Këta blerës janë pjesë e sektorit në rritje të Kinës “luks i përballueshëm,” që analisti Ken Grant thotë se markat po gjejnë mënyra të reja për t’i arritur.

“Markat luksoze po përpiqen shumë të gjejnë klientë të rinj, që do të thotë se ata kanë nevojë të ndryshojnë strategjitë e tyre, ata kanë nevojë të nxjerrin produkte të reja në treg, ndoshta produkte që ata nuk i kanë ofruar tradicionalisht, ata po prodhojnë gjëra të reja dhe mbase edhe më të lira për të tërhequr klientë të rinj.”

Kërkesa është në rritje gjithashtu për mallrat luksoze të vetë Kinës. Gruaja e Presidentit kinez Xi Jinping ka ndihmuar të rritet interesi në modën e lartë kineze duke veshur vetëm marka të vendit në udhëtime jashtë shtetit.

Kering, marka luksoze franceze po mbështet kompaninë e bizhuterive Çi-lin. Kompania kineze Shang Sia gërsheton stilin modern me kulturën kineze, dhe investitori më i madh i saj është marka luksoze frënge Hermes. Pa mbështetje të tillë, do të ishte shumë më e vështirë për kompanitë lokale të konkurronin, thotë zoti Grant.

“Atyre u duhet kohë dhe sfida e tyre është nëse ata kanë qëndrueshmërinë e mjaftueshme apo nëse mbështetësit janë të gatshëm të vazhdojnë të investojnë në to për një kohë të gjatë.”

Shumë markave tradicionale luksoze iu deshën dekada për të krijuar emrin e tyre. Në një studim të kohëve të fundit rreth produkteve të luksit më të kërkuara në Kinë, vetëm një markë kineze ishte ndër 50 të parat.
XS
SM
MD
LG