Lidhje

Basha nuk rikandidon për bashkinë e Tiranës


Ethet e zgjedhjeve vendore kanë përfshirë selitë e partive politike në Tiranë, madje po ndryshojnë koalicionet midis tyre. Partitë e vogla janë duke lëvizur sa nga një koalicion në tjetrin, ndërsa partitë e mëdha po kërkojnë kandidatët më të mirë për zgjedhjet e qershorit.

Kryetari i partisë demokratike të opozitës Lulzim Basha deklaroi sot se nuk do të kandidonte për një mandat të dytë në krye të bashkisë së Tiranës, por do të drejtonte fushatën e partisë më të madhe opozitare në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama vlerësoi zotin Basha si bashkiaku, që nuk realizoi asgjë nga premtimet e veta për kryeqytetin shqiptar. Sipas PS, zoti Basha nuk ka asnjë rezultat pozitiv në përmirësimin e jetës së Tiranës në 4 vjet të mandatit të tij, as për shkollat, kopshtet, trafikun, gjelbërimin, madje 16 zona të gjelbëra i shëndërroi në sheshe ndërtimi.

Partia Demokratike dhe bashkia deklaruan disa herë se prej dy vjetësh qeveria socialiste ka bllokuar krejtësisht financimet për punët publike të kryeqytetit. Dy vjet të tjera zoti Basha i pati me qeverinë e Partisë Demokratike. Tani dy partitë kryesore po kërkojnë kandidatët më të mirë për 61 bashki dhe po rindërtojnë aleancat me partitë e vogla.

Partia Demokratike humbi PDIU dhe ka marrëdhënie të vështira me PR, ndërsa PS po bisedon me aleatët social-demokratë, pasi mori në anën e saj PDIU. Kandidatët e pavarur mund të jenë sivjet një kapitull më vete në Tiranë me Gjergj Bojaxhiun, ndërsa ka shenja që si ai do të dalin edhe disa të tjerë nëpër qytetet e mëdha.

XS
SM
MD
LG