Lidhje

Tiranë: Studiuesit komentojnë raportin e Bankës Botërore


Në Tiranë, studiuesit e ekonomisë shqiptare komentuan nga këndvështrime të ndryshme raportin e fundit të Bankës Botërore "Të Bësh Biznes 2017".

Ata pohuan se vlerësimet pozitive për Shqipërinë në atë raport paraqesin vetëm një pjesë të sfidave dhe vështirësive të mëdha, që has sot ekonomia shqiptare.

Raporti vjetor i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2017” shënoi se Shqipëria u përmirësua me 32 vende në renditjen botërore sa u takon lehtësive në funksionimin e bizneseve.

Dr. Selami Xhepa thotë se raporti tregoi rimarrjen e pozicioneve të humbura një vit më parë dhe rregullimet ligjore, që u bënë së fundi me lejet e ndërtimit pasi ato u ndaluan për disa kohë.

Por ende, sipas tij, nuk ka përmirësim real të klimës së biznesit, por deri tani janë vetëm përmirësime në letër.

Por studiues të tjerë e shohin me shpresë situatën ekonomike dhe reformat e fundit.

Dr. Luljeta Minxhozi thotë se raporti vjetor i Bankës Botërore Të Bësh Biznes i la një mbresë pozitive, sepse tregoi që reforma rregullatore ka filluar të veprojë dhe se ajo po shmang një pjesë të madhe të pengesave për investimet e huaja.

Por ende ka pengesa të konsiderueshme, që po trajtohen gradualisht, si respektimi i pronësisë së tokës dhe kostot e transaksionit të pasurive të paluajshtme, të cilat ende janë të larta.

Shqipërisë iu vlerësua nga Banka Botërore kontrolli mbi energjinë, lehtësirat me taksat dhe zbatimi i kontratave, por vëzhguesit thonë se investimet e huaja po tkurren.

Dr. Xhepa theksoi se gjatë viteve të fundit nuk ka patur asnjë investim të huaj me rëndësi, dhe ato janë vendosur në shtetet fqinje si Maqedonia, Serbia, apo Mali i Zi.

Respektimi i ligjit dhe i kontratave, respektimi i të drejtave pronësore, sipas tij, janë më mirë në vendet fqinje, të cilat kanë edhe politika taksash më elastike.

Pothuaj të gjitha vendet e rajonit e vuajnë njëlloj ngushtësinë e tregjeve si të shkëputura nga njëra tjetra, thekson zonja Minxhozi, ndaj qasjet ekonomike duhet të jenë më rajonale, ndonëse politikat fiskale çdo shtet i harton sipas mundësive të veta.

Ndërsa vëzhgimet më të shumta i kushtohen tërheqjes së investimeve të huaja, klima e biznesit është po aq problematike edhe për firmat vendase.

Shumica e tyre nuk po rriten, vërejnë studiuesit, por po hasin vështirësi në gjetjen e financimeve, ndërkohë që kreditë e këqija në banka janë në nivele të larta.

Kthimi i borxheve ndaj firmave private nga qeveria thjesht shkatërroi zinxhirin e borxheve, që ato i kishin njëra tjetrës, por ato para në shumicën e rasteve nuk u riinvestuan për zgjerim biznesi, siç shpresohej tre vjet më parë.


XS
SM
MD
LG