Lidhje

Opozita: Nuk po bojkotojmë parlamentin


Basha: "Nuk ka as bojkot, as refuzim dialogu, as thirrje për protesta. Do të jemi një opozitë e fortë, konstruktive, moderne dhe europiane"

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në mbrëmje se opozita nuk e ka bojkotuar parlamentin, ndonëse ka disa seanca që nuk merr pjesë në punimet e tij, por po harton alternativën e vet për qytetarët në çdo fushë të jetës, krahas asaj të qeverisë. Zoti Basha tha gjatë një bisede në televizionin Top Channel se opozita do të japë ndihmesë që Shqipëria të ketë më shumë siguri, mirëqenie, shtet ligjor, qeverisje transparente dhe dialog politik për cështje me interes kombëtar.

“Nuk ka patur as bojkot, as refuzim dialogu, as thirrje për protesta. Do të jemi një opozitë e fortë, konstruktive, moderne dhe europiane në mbrojtje të interesit publik të shqiptarëve. Nuk do të ngurrojmë të bashkëpunojmë për çështje madhore siç është integrimi europian dhe çështje të tjera madhore të shqiptarëve” - tha ai.

Zoti Basha tha se akti normativ i qeverisë shkatërroi mirëkuptimin për ligjin e nëpunësit civil, që u votua me shumicën e cilësuar cilësore të parlamentit. Sipas tij, ligji parashikon që deri në dhjetor qeveria të bënte aktet normative për të hyrë në fuqi pas 6 muajsh, ndërsa qeveria ndoqi rrugën e përplasjes dhe provokimeve ndaj opozitës, e cila nuk po bojkoton, por po i tërheq vëmendjen qytetarëve mbi hapat antikushtetuese të shumicës së re socialiste.

“Nuk ka bojkot. Ka patur një akt ndërgjegjësimi për të treguar që puna nuk vazhdon si normalisht. Partia Demokratike dhe opozita do të vazhdojnë fuqishëm, aktivë në parlament dhe në çdo forum tjetër. Ne nuk e kemi braktisur parlamentin dhe as aktivitetin parlamentar. Asnjëherë nuk kemi menduar dhe nuk do të vendosim t'i japim carta bianca qeverisë për të abuzuar pa praninë e opozitës në aktivitetin parlamentar dhe më tej” - tha ai.

Nga ana tjetër shumica socialiste kritikoi opozitën për bojkot dhe refuzim të dialogut politik. Kryeministri Edi Rama ftoi një javë më parë partitë e opozitës për një takim mbi aktin normativ, sepse sipas tij, ligji i nëpunësit civil është i pazbatueshëm dhe të gjenden bashkarisht rrugëdaljet. Gjatë një fjalimi në parlament, zoti Rama deklaroi se asnjëherë Partia Demokratike nuk i ftoi socialistët për dialog pa kushte, edhe pse nuk kishte 84 vota, ndërsa e kundërta po ndodh tani; PD refuzoi bashkëbisedimin.

“Kemi dërguar ftesa të njëpasnjëshme nga një grup i posaçëm i ngritur për dialogun me opozitën, në përbërje të të cilit janë zëvendës-kryeministri, ministri i marrëdhënieve me parlamentin, ministri i integrimit dhe ministrja për administratën publike. Katër antarë qeverie u janë lutur përfaqësuesve të opozitës së sotme për t'u ulur dhe për të biseduar” - tha zoti Rama.

Demokratët pohuan se dialogu mbi një akt normativ është i pamundur, dhe se shumica socialiste i arriti 84 vota duke tërhequr me oferta deputetët e opozitës. Megjithë vështirësitë në dialogun politik të Tiranës, Bashkimi Europian e ka vendosur gjithëpërfshirjen dhe mirëkuptimin mes palëve në krye të kërkesave të veta që vendi të ecë përpara në rrugën e integrimit. Progres-raporti i fundit dhe përfaqësues të diplomacisë europiane kërkuan që dialogu dhe mirëkuptimi duhet të jenë pjesë e përhershme e jetës politike shqiptare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG