Lidhje

Opozita komenton ofertën për dialog


Opozita deklaroi sot se ishte gati për dialog të dobishëm me qeverinë, dhe jo për dialog fasade. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në një takim me grupin e deputetëve se dialogu është një vlerë e demokracisë dhe jo një lojë për t'u hedhur njerëzve hi syve. Ai tha se Partia Demokratike është e gatshme të kthejë dialogun në skenën politike, si një mjet i rëndësishëm demokratik, ndonëse parlamentarizmi dhe dialogu politik po dëmtohet vazhdimisht nga shumica me sharje dhe fyerje në sallën e parlamentit. Zoti Basha tha se opozita nuk mbulon shkeljet e qeverisë dhe nuk bëhet pjesë e një paqeje teatrale në Tiranë për të gënjyer Brukselin.

“Për ne dialogu ka qenë dhe është vlerë, ka qenë dhe është një mjet i pazëvendësueshëm për çuarjen përpara të reformave, ka qenë dhe është një mendësi e marrëdhënieve me njëri tjetrin, me shoqërinë civile, me njerëzit e lirë, me palën kundërshtare; ka qenë dhe është mendësia për t’i ballafaquar dhe jo për t’i majisur problemet, për t’i zgjidhur e jo për t'i fshehur. Ekzistojnë norma dhe standarde që duhen respektuar me qëllim që dialogu të jetë i pasforcuar, i natyrshëm, i sinqertë, konkret, produktiv, i përligjur me rëndësinë e çështjes, pra, të mos jetë për fasadë, të mos jetë shou” - tha ai.

Zoti Basha tha se një qeveri që nuk zbaton vendimet e gjykatave zbulon veten e vet si një qeveri antidemokratike. Ai tha se opozita kërkon tërheqjen e mazhorancës nga goditja e institucioneve. Sipas tij, nga tetor i vitit të kaluar dhe deri sot qeveria e re kanë larguar nga administrata mbi 7 mijë nëpunës të kualifikuar, ndaj qeveria duhet të zbatojë vendimet e gjykatave për kthimin në vendin e punës të të gjithë burrave dhe grave të administratës publike të larguar nga puna në mënyrë të paligjshme

“Është pikërisht në një funksion të tillë, dhe një produkti të tillë, të një klime të re politike, në funksion të marrjes se statutit dhe shtrimit të rrugës për kryerjen e reformave të integrimit të vendit në Bashkimi Europian, që Partia Demokratike, opozita dhe unë i drejtohemi sërish kryeministrit dhe shumicës së tij: Zbato menjëherë, pa hezitim dhe ekuivok vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Nëpunësin Civil dhe INUK-un.” - tha ai.

Opozita kërkoi që qeveria të tërheqë aktin normativ që shtyn hyrjen në fuqi të ligjit për statusin e nëpunësit civil dhe të ndalë sulmet politike ndaj institucioneve kushtetuese të pavarura për t’i vënë nën kontrollin e koalicionit qeveritar. Kryeministri Edi Rama ftoi kryetarin e partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi reformën administrativo-territoriale. Të dy drejtuesit e partive politike kryesore shkëmbyen letrat në publik, duke ftuar njëri-tjetrin në takim, dhe duke shpjeguar rëndësinë e dialogut secili sipas pikëpamjes së vet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG