Lidhje

Partia Demokratike hapi fushatën e zgjedhjeve vendore


Partia Demokratike e opozitës çeli zyrtarisht sonte në mbrëmje fushatën e saj për zgjedhjet vendore, duke paraqitur së bashku të gjithë kandidatët e vet për 61 bashki të reja të vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në tubim se fushata e opozitës është maratona e çdo qytetari të këtij vendi që kërkon shpresë, punë dhe dinjitet.

Ai theksoi se kjo garë vendore ka edhe rëndësinë e vet politike për të larguar me votë pasigurinë, varfërinë dhe papunësinë që kanë vuan aktualisht shumica dërmuese e shqiptarëve.

“Duhet të çelim me votë një perpektivë të re për ringritjen dhe përmirësimin ekonomik e shoqëror dhe një demokraci të re për qytetarët” - tha zoti Basha.

Sipas tij, papunësia, varfëria, pasiguria, eksodi dramatik i njerezve, largimi i investimeve dhe kapitalit janë rezultatet e dushme të qeverisë Rama-Meta.

“Partia Demokratike ka treguar se di të sjellë zhvillim dhe mirëqenie. Demokratët, opozitarët, gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, që ndajnë me ne shqetësimin për paaftësinë dhe dështimet e qeverisë Rama-Meta janë të ftuar ta ndëshkojnë atë me votat e 21 qershorit” - tha zoti Basha.

Ai tha se veç të tjerash është i nevojshëm edhe një ekuilibrim të pushtetit qendror me atë vendor, duke krijuar një pol fuqie të qytetarëve pa dallime politike, për të përballuar gënjeshtrat dhe arrogancën e qeverisë. Sipas tij, vendi ka nevojë për PD në pushtet vendor, në mënyrë që ky pushtet t'i shpëtojë asgjësimit të plotë nga shumica e majtë.

Koalicioni qeveritar i paraqiti kandidatët e vet disa ditë më parë në të njëjtën sallë të pallatit të Kongreseve. Kryeministri Edi Rama foli për vlerat e kandidatëve të majtë në 61 bashkitë e reja dhe kërkoi mbështetjen e tyre në zgjedhjet e qershorit.

“Shumica e shqiptarëve e mirëkuptojnë dhimbjen, që shkaktoi reforma, që duhet të kishim bërë vite të tëra dhe që sot janë operacione mbi plagë shumë më të thella seç ishin vite të tëra” - tha zoti Rama në tubim, duke shtuar se më 21 qershor nuk do votohet për politikë, por për të zgjedhur atë që garanton shërbime më të mira në çerdhe, kopshte, shkolla, spitale, qytete.

Zoti Rama tha se rendi dhe ligji janë forcuar në pak muaj, ndërsa punësimi u shtua me 8 për qind, ose 83 mijë persona. Sipas tij, qeveria po paguan mbi 720 milionë dollarë borxhe dhe hoqi disa taksa mbi pagat, duke çliruar portofolin familjar të shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG