Lidhje

PD premton hapjen e saj


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se në krye të pushtetit është vendosur një kastë politike - ekonomike, e cila ka futur në sistem korrupsionin, drogën dhe blerjen e votës.

Zoti Basha i bëri këto komente në festën e 26 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, ku theksoi se kjo gjendje e rëndë, po u vret shqiptarëve shpresën dhe po i shtyn në arrati.

“Ortakëria mes politikanëve dhe klientëve të partisë ka shkatërruar çdo mundësi për një ekonomi të lirë të tregut. Etja për të marrë pushtetin me çdo kusht, e shtyu politikën në kthetrat e krimit dhe solli kriminelët në majat e pushtetit. Njerëzit e thjeshtë janë braktisur në varfëri. Sfida e Partisë Demokratike është kthimi i besimit të njerëzve tek politika dhe tek tek e ardhmja” - tha zoti Basha.

Ai theksoi se Partia Demokratike do të sigurojë hapjen në kuptimin me të gjerë të fjalës, hapjen e mendjeve, të radhëve, hapjen ndaj aleatëve dhe aleancave, ndaj shoqërisë, ndaj vlerave, ndaj rregullave, ndaj garës, ndaj mendimit të lirë.

“PD do t'u ofrojë shqiptarëve një model të ri politik e shoqëror. Deputetët do të zgjidhen përmes konkurrencës dhe vendimmarrjes së anëtarësisë. Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit dhe drejtuesve deri në dy vjet” - tha ai.

Përfaqësimi politik i PD do të vendoset nga anëtarët e saj, theksoi drejtuesi i saj, me një strukturë partiake perëndimore, të çliruar nga ofiqet dhe pushtetet.

XS
SM
MD
LG