Lidhje

Lulzim Basha premton ndryshime të thella në mënyrën e drejtimit të Tiranës

  • Armand Mero

Lulzim Basha premton ndryshime të thella në mënyrën e drejtimit të Tiranës

Lulzim Basha premton ndryshime të thella në mënyrën e drejtimit të Tiranës

Në Shqipëri kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha premton ndryshime të thella në mënyrën e drejtimit dhe administrimit të kryeqytetit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai thotë se ekzistojnë të gjitha mundësitë që Tirana të ketë më shumë hapësira për qytetarët, për biznesin dhe për investimet. Zoti Basha shprehet se kandidimi i tij nuk lidhet me synime të tjera politike si dhe komenton arsyet pse zgjodhi të bëjë një fushatë ku pesha e Partisë Demokratike dhe e drejtuesve të saj nuk është e dukshme. Me zotin Basha bisedoi korrespondenti ynë në Tiranë Armand Mero.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha doja ta nisja intervistën duke u ndalur fillimisht në premtimet tuaja, ka qenë një fushatë që është drejt fundit. Ju keni bërë premtime të shumta, keni shpalosur premtime si do t’i përmblidhni ato?

Lulzim Basha: Do t’i përmblidhja në tre fusha kryesore. Së pari në zhvillimin ekonomik të Tiranës. Një model që do të garantojë mirëqënie, punësim, të pmjaftueshëm për qytetarët e Tiranës si qendra kryesore ekonomike e vendit ku mbi 6 mijë të rinj hyjnë cdo vit në tregun e punës. Si një përpjekje të fuqishme të pushtetit vendor për të kontribuar në normalizimin e çmimeve në këtë qyetat të cilët janë më të larta se në komunat e bashkitë përreth. Pra përdorjen e të gjithë mekanizmave fiskal, përmes reformës fiskale, garantimit të investimeve dhe krijimit të një klime investimesh për rritjen e mirëqënies ekonomike të qyetarëve të Tiranës me fokus punësimin.

E dyta ka të bëjë me cilësinë e jetës në Tiranë. Me cilësinë e jetës së qytetarëve dhe në fokus është mënyra se si do ta zhvillojmë Tiranën. Plani i ri urbanistik dhe mundësia që duhet t’i ofrojë qytetarëve. Pikësëpari, për zhvillimin e pronave të tyre, sepse prona duhet të jetë e pacënueshme dhe në themel të zhvillimit. Dhe së dyti si të rifitojmë hapësirat publike që janë tkurrur nën presionet klienteliste. Kjo është plotësisht e mundur nëse këto dy interesa harmonizohen dhe janë në qendër të planit të ri urbanistik, ashtu sikundër unë premtoj se ky plan do të garantojë rrugë të standarteve europiane, me trotuare me ndricim, me ujësjellës-kanalizime. Do të garantoj rifitimin e hapësirave publike që do përdoren për shkolla dhe kopshte të reja dhe hapësiar të gjelbërta.

Por po kështu do të garantoj një zhvillimi të fuqishëm të infrastruklturës, zhvillim i cili ka mbetur peng i konfliktit politik, që nga Unaz a e madhe, te Tramavaji, të zhvillimi i parqeve të mëdha të gjelbërta, korridori rekreativ i Lumit të Tiranës dhe një parku tjetër të madh.

Në qendër të këtij zhvillimi që ka të bëjë me cilësinë e jetës, do të jenë lagjet e qytetarëve të Tiranës, shtëpitë e tyre. Ky zhvillim do të nisë nga pragu i derës së tyre dhe jo nga qendra.

Përqasja që unë ofroj, që mund të quhet e re, por që në të vërtetë është po aq e vjetër sa familja, është ta konsiderojmë Tiranës shtëpinë tonë të madhe, familjen tonë ku nuk mund të ketë të humbur e të fituar po ku harmonizimi i interesave çon përpara qytetin dhe të gjithë fitojnë. Për të bërë këtë, unë propozoj një qeverisje që është sa më afër qytetarit me në qendër qytetarin ku konsultimi është një e përhershme dhe jo vetëm kaq. Ku bashkëvendimarrja dhe konsensusi më i gjerë qyetar është rregulli dhe jo përjashtimi.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha disa nga premtimet tuaja, sidomos ato që janë mjaft të prekshme për interesat e qytetarëve, flas këtu për taksat, cështjen e hipotekimeve, kanë ngjallur debate. Opozita thotë se taksat e pushtetit vendor që ju premtoni të reduktoni drastikisht zënë vetëm një pjesë të vogël në volumin e taksave që biznesi paguan. Apo cështja e hipotekimeve që ka dy vjet që ka kaluar në duart e një institucioni tjetër e nuk janë më në varësi të pushtetit vendor.

Lulzim Basha: Në të dyja këto raste ç’është e verteta përballemi me përqasje të ndryshme që ne ofrojmë në fushatë. Kandidati tjetër nuk ka pranuar të marrë përgjegjësi për shumë gjera që i takojnë bashkisë, probleme të qytetit që nuk mund të mos jenë probleme të bashkisë apo kryebashkiakut. I tillë është rasti i hipotekimit të pallateve që nuk duhet të ngatërrohet me legalizimin. Procesi u stopua pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit apo transparencës për të ecur përpara me lejet e shfrytëzimit e për të përfunduar pastaj me hipotekimin. Ky proces ka qenë tërësisht nën autoritetin e bashkisë dhe Bashkia ka qenë përgjegjëse edhe për neglizhencën në kontrollin e ndërtimeve që mund të kenë devijuar nga leja e ndërtimit, edh për t’i dhënë një zgjidhje të cilën unë do t’a jap brenda datës 15 nëntor çdo familje. Sepse së pari është e drejta e tyre të zotërojnë titullin e pronësisë për banesa që i kanë paguar, të cilat janë ndërtuar me leje dhe nuk duhen ngatërruar me legalizimin. Dhe së dyti sepse përfaqësojnë një vlerë kapitale të jashtëzakonshme, mbi 700 milion euro, dhe kjo vlerë kapitale do të ketë një impakt të menjëhershëm në tregun e Tiranës, veçanërisht në prioritetin numër 1 në punësim. E njejta vlen dhe për çështje të tjera. Në tërësi përballemi me një mungesë përgjegjshmërie, me dëshirën për të treguar me gisht palën tjetër.

85 taksa dhe tarifa vendore janë tepër shumë për çdo vend e qytet. Niveli i tyre, 7-8 herë më i lartë se komunat dhe bashkitë fqinje. Taksat e larta sjellin shërbime të pakta, dhe shërbimet e munguara sjellin një kosto tjetër edhe për bniznesin dhe qytetarin: Dhe kjo politikë e gabuar fiskale sjell kosto të larta për qytetarin, për biznesin, cmime jo normale, dhe ul nxitjen për punësim. Për këtë arsye jam i vendosur që nga muaji maj të merrem me reformën fiskale, të thjeshtoj sistemin e taksave, procedurat administrative t’i rikthej paratë punëdhënësve të qytetit, qytetarëve të Tiranës, dhe në të njejtën kohë të ofroj shërbime të tilla që të mos ketë kosto më të lartë shërbimi dhe prodhimi në këtë qytet se san ë komunat e bashkitë përreth. Por duke përdorur ekonominë e shkallës kjo kosto do të jetë sa më e ulët, për paratë të cilat do t’i rikthehen punëdhënësve të Tiranës do të jenë të mjaftueshme për të hapur vetëm Brenda muajit Dhjetor të paktën mbi 4 mijë vende të reja pune. Unë do të veproj po kështu me një fond garancish për biznesin. 2 milion euro të Bashkisë do të jenë themeli i këtij fondi garancish me një impakt kreditues 20 milion euro. Bizneset e vogla dhe të mesme do përfitojnë nga këto kredi dhe do mundësojnë po kështu një punësim të paktën për 6 mijë qytetarë të tjerë të Tiranës. Pra unë kam vendosur të marr përgjësitë e plota që i takojnë Bashkisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha duke mbetur tek aspekti politik I fushatës tuaj. Ju vini nga një karrierë e sukseshme politike në qeverinë e Partisë Demokratike. Por ajo që vihet re në këtë fushatë, duke nisur nga spotet tuaja, mungon loga e Partisë Demokratike, ngjyra nuk është me bluja, keni dhe portokallin tani. Drejtuesit e Partisë Demokratike nuk janë parë në fushatën tuaj përveç hapjes së fushatës tuaj këtu e 30 ditë më përpara. Pse ky distancim?

Lulzim Basha: Nuk bëhet fjalë për një distancim. Partia Demokratike është fuqishëm e përfshirë në fushatë në të gjitha nivelet, që nga Kryetari i saj e deri tek kolegët e Këshillit Kombëtar dhe anëtarësia. Partia demokratike po bën fushatën më intensive dhe më të bukur prej shumë kohësh dhe unë i jam shumë mirënjohës kujtdo që ka dedikuar fuqitë, energjinë e tij për këtë fushatë, por është një fushatë që ka në qendër qytetarin. Dhe kjo është një zgjedhje e imja, po ashtu është një zgjedhje po kaq e Partisë Demokratike është një zgjedhje po kaq e qytetarit. Është një konvergjencë dhe me këtë kuptim Partia Demokratike ka virtytin që të pranojë në këtë moment dhe të bëjë të veten filozofinë e qytetarit në qendër te politikave vendore. Unë mendoj se në këtë drejtim kemi të bëjmë me një fenomen pozitiv, një fenomen i cili do të kontribojë për më shumë realizëm në politikat që janë më afër qytetarit dhe qytetarë më të fuqishëm e me më shumë zë në marrjen e vendimeve.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për politikat për qytetarin por keni sulmuar kundërshtarin tuaj për mungesë transparence. Ju u vutë në qendër të kësaj fushate edhe për mënyrën e mbulimit mediatik të fushatës, mungesën e kamerave në ndjekjen tuaj. A mund të besojmë në një transparencë nesër, nëse ju do të zgjidheni. Se kamerat do të mund të futen në zyrën tuaj, kur nuk arrinin dot të shihnin takimet tuaja me qytetarët?

Lulzim Basha: Transparenca ime ka qenë e plotë dhe askush nuk është penguar për të mbuluar aktivitet e mia. Kultura e transmetimit është përdorur gjërësisht edhe nga kandidati tjetër edhe në këtë fushatë. Dhe natyrisht është pjesë e problematikës së transparencës në vend. Unë jam i vendosur të ecë përpara dhe t’i jap përkrahje të plotë medias së lirë, sot dhe nesër si kryebashkiak i ardhshëm për mbulimin e gjithë aktivitetit tim sikur kam qenë i hapur gjatë gjithë periudhës sime të shërbimit publik. Ky është një problem i cili duhet trajtuar, nuk mund të mbyllen syte para këtij problemi. Por të jemi të qartë, është një problem i cili ka ekzistuar më përpara. Është një problem I cili sot është përdorur gjërësisht edhe nga kundërshtari, i cili ka përdorur kasetat televizive gjërësisht në aktivitetet e tij në Tiranë dhe jashtë. Ka zgjedhur në mënyrë selektive mediat, ishte e drejta e tij. Unë nuk kam bërë zgjedhje selektive të mediave. Unë kam qenë i hapur dhe s’kam penguar asnjë media të ndjekë aktivitetet e mia. Por në kontaktet e mia intime me qytetarin kam preferuar kamera të vetme për të mos intimiduar atë. Dhe këto pamje janë dhënë në mënyrë të plotë kudo që kanë dashur t’i kenë ato.

Zëri i Amerikës: Kandidimi i juaj nuk erdhi një muaj më parë dhe besoj ka qenë dicka e pjekur në kohë në kohë. Ngjarjet e 21 janarit, ku katër persona mbetën të vrarë dhe ju atëherë ishit drejtues i ministrisë së Brendshëm e cil ka në varësi si policinë edhe Gardën. A e lëkundën idenë tuaj për të kandiduar?

Lulzim Basha: Është një ngjarje e dhimbshme veçanërisht sepse ka pasur 4 viktima edhe unë e refuzoj ta përdor këtë ngjarje për kapital politik, siç ndodh rëndom gjatë kësaj fushate me kandidatin tjetër. Kjo ngjarje është nën hetim, asnjë akuzë nuk ka bazë. Icitapi dhe Pameca e kanë vlerësuar lartë rolin e policisë. Drejtësia do të thotë fjalën e saj. Problemi me përdorimin politik të kësaj ngjarje është ajo që kam thënë më përpara: dëshira për të vazhduar me gjuhën e akuzave politike të konfliktit politik është problem kryesor në qytetin e Tiranës, është problemi që ka marrë peng axhendën e qytetin të Tiranës. Dhe unë pikërisht këtë dua të ndryshoj. Mos ta lëmë axhendën e qytetarëve të Tiranës peng luftës politike sepse këto nuk prodhuar asgjë për qytetin. Nuk kanë hapur asnjë vend pune, nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë të vetme, asnjë rrugë të vetme. Ka ardhur koha ti boll më, t’i themi ndal kësaj politike shterpë, këtij konflikti politik dhe të orientohemi tërësisht nga interesat e qytetit dhe të qytetarëve. Dje të jeni të sigurtë që nëqoftëse nuk punojmë natë e ditë për problemet e mëdha dhe të akumuluara të qytetit, të cilat të gjitha kanë zgjidhje po t’i rri njeri mbi kokë ashtu sikurse unë do t’i rri tërësisht, duke bërë betejat e qytetit betejat e mia, bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut të ardhshëm nuk i del më asnjë minutë kohë për tu marrë më as me politikë as me sherre politike.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për jë axhendë politike të rivalit tuaj. Po të shohim rrugën se si ai avancoi në politikë duk kapur edhe kreun e kësaj partia është praktikisht e ngjashme dhe me atë që ju po ndiqni tani. Një karrierë e suksesshme në ekzekutiv dhe kandidimi në Bashkinë e Tiranës. Do të ishte kjo një trampolinë për të synuar më shumë në partinë demokratike nëse lidershipi i saj tërhiqet?

Lulzim Basha: Absolutisht jo. E gjithë energjia ime gjithë koha ime unë I tëri fizikisht dhe shpirtërisht sot përkushtohem dhe vihem në dispozicion të qytetit tim, të qytetit ku kam lindur, të një qyteti i cili vuan padrejtësisht mungesën e vëmëndjes. Dhe nëse në këtë fushatë jam nisur me bindjen e plotë se përkushtimi total është gjëja më e drejtë për të bërë për qytetin, mbështetja, dashuria, shpresa që kam gjetur të qytetarët e Tiranës më ka bindur edhe më shumë se ka qenë zgjidhja e duhur, ndaj të jeni të sigurtë se axhenda ime e vetme do të jetë përkushtimi total i plotë dhe i sukseshën ndaj problemeve të qytetit dhe axhendës së qytetarit të Tiranës.

XS
SM
MD
LG