Lidhje

Tiranë: PD ankimon si antikushtetues edhe ligjin për këshillat e gjykatave dhe prokurorive


Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës, ankimoi sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Sipas partisë kryesore të opozitës, ligji është antikushtetues në mënyrën se si zgjidhen anëtarët e këtyre dy institucioneve të reja të ngritura me reformën e drejtësisë.

Ligji i miratuar vetëm me votat e shumicës socialiste në seancën parlamentare të 3 nëntorit, pohon opozita, i heq parlamentit mundësinë për të zgjedhur anëtarët jogjyqtarë e joprokurorë në këto dy institucione.

Ky ankimim për këtë ligj të ri u bë vetëm një ditë para se Gjykata Kushtetuese të rimarrë në shqyrtim nesër ligjin e pezulluar të Vetingut, pas përgjigjeve që erdhën nga Komisioni i Venecias.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se reforma në drejtësi duhet të ecë si e parashikon Kushtetuta, me organe drejtësie të reja e të pavarura, dhe jo me institucione, që varen, kontrollohen dhe emërohen nga qeveria.

Nga ana tjetër, zoti Basha, tha se ligji i dekriminalizimit po jep rezultatet e para, duke pezulluar zyrtarët e parë, që kanë fshehur të dhëna kriminale.

Ai shtoi se opozita do të këmbëngulë në zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, për të pastruar institucionet nga personat me të dhëna kriminale, si dhe do të kërkojë një reformë zgjedhore të besueshme për zgjedhje të rregullta në qershor.

Shumica socialiste e ka akuzuar opozitën se me ankesat e njëpasnjëshme po përpiqet të pengojë reformën në drejtësi, për të mbrojtur njerëzit e saj në prokurori dhe gjykata.

XS
SM
MD
LG