Lidhje

Opozita dhe reforma territoriale


Në Shqipëri, Partia Demokratike e opozitës kërkoi që reforma e pushtetit vendor të nisë nga decentralizimi, autononimia dhe më tej të studiohet ndarja territoriale. Kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha, tha se qeveria po refuzon kompromisin dhe nuk po kryen konsultime të vërteta. Parlamentoi miratoi disa kohë më parë një komision parlamentar, ku opozita nuk mori pjesë.

Opozita shqiptare kërkoi sot që reforma administrativo-territoriale të diskutohet dhe të miratohet me mirëkuptim në parlament, pavarësisht nga raporti i votave të deputetëve. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ky mirëkuptim është minimumi që kërkon tradita e kësaj reforme, sipas të cilës asnjë parti nuk ka marrë e vetme vendime të tilla.

Zoti Basha i shprehu pikëpamjet e tij këtë radhë gjatë një takimi me përfaqësues të së djathtës në njësitë e qeverisjes vendore dhe qarqeve, ku theksoi se qeveria ka refuzuar mirëkuptimin si baza e kësaj reforme.

Pjesëmarrësit miratuan një rezolutë, sipas të cilës, reforma të nisë nga decentralizimi i kompetencave të pushtetit vendor, zgjerimi i autonomisë vendore dhe më pas në detaje administrative dhe territoriale. Demokratët pohuan se madhësia e njësive vendore nuk është pengesë për zhvillim, por ato nuk kanë fonde dhe kompetenca për investime më të mëdha. Ata hodhën poshtë komentet se njësitë vendore janë të frytshme, duke shpjeguar se drejtoritë qendrore harxhojnë shumë më tepër me punë burokratike.

Po ashtu edhe buxheti i shtetit, sipas tyre, nuk i ndahet pushtetit vendor në raporte proporcionale. Kryetari i PD dhe i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, tha se e djathta nuk është kundër reformës për decentralizim, por nuk iu ofrua bashkëpunim. Ai kërkoi më shumë transparencë dhe konsultime të vërteta.

Parlamenti ngriti pak kohë më parë një komision me 8 antarë nga shumica e majtë dhe 8 antarë nga opozita, por Partia Demokratike nuk mori pjesë. Ndryshimi i hartës administrative të Shqipërisë vlerësohet mëse i nevojshëm nga të dy palët.

Qeveria publikoi disa variante, ku numri i njësive vendore ulet diku më shumë e diku më pak. Pakësimi i njësive administrative pritet të përmirësojë shërbimet për banorët, të lehtësojë proceset zgjedhore dhe të ulë shpenzimet financiare për mbajtjen hapur të aq shumë njësive vendore.

Qeveria shqiptare nisi diskutimin mbi reformën e miradministrimit të territorit, në përpjekje për të shmangur fragmentimin e pushtetit vendor. Sipas autoriteteve, vendi ka nevojë të ngutshme për një reformë administrativo-territoriale, e cila do të kryhet në transparencë të plotë dhe në diskutim të detajuar me palët e interesuara dhe me mbështetjen e OSBE-së.

Qëllimi është mirëqeverisja e pushtetit vendor, përmirësimi i shërbimeve dhe fuqizimi i qytetarëve dhe komuniteteve, duke zmadhuar njësitë territoriale dhe duke ulur numrin e zyrave të pushtetit vendor.

XS
SM
MD
LG