Lidhje

Tubimi i Partisë Demokratike


Partia Demokratike e opozitës organizoi sot një tubim proteste kundër masave të fundit ekonomike të qeverisë, që sipas saj, po e varfërojnë më tej jetën e qytetarëve. Mijëra përkrahës të opozitës nga Tirana dhe qytete të tjera u mblodhën para selisë së qeverisë, duke kërkuar largimin e qeverisë Rama, e cila sipas tyre, jo vetëm nuk po hap vende të reja pune por po bllokon me gjoba dhe taksa të larta bizneset e vogla të vetëpunësuara.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se qeveria nuk po i përmbahet premtimeve për vende të reja pune, për mjekësi falas, për uljen e taksave, përkundrazi po godet bizneset me taksa të rritura dhe me çmimin e energjisë, që po rritet.

Një numër i madh pjesëmarrësish kërkuan rrëzimin e qeverisë Rama, e cila sipas oratorëve braktisi premtimet e saj dhe tani po shtrëngon masat fiskale në dëm të ekonomisë shqiptare dhe të portofolit familjar.

Partia Demokratike e opozitës ka disa muaj që ka braktisur parlamentin me shpjegimin se qeveria nuk po zbaton disa vendime të gjykatës kushtetuese. Ndërkohë shumica socialiste po miraton njëri pas tjetrit disa ligje me rëndësi në fushën ekonomike si buxheti, prej nga varen projektet për zhvillim dhe investime publike. Partia Socialiste e ka ftuar disa herë opozitën që të marrë pjesë në punimet e parlamentit dhe të shprehë aty pikëpamjet e saj për reformat që ka nevojë vendi, dhe të mos shprehet nga veprimtaritë e rrugës.

Qeveria ka shprehur gadishmërinë për të dëgjuar propozimet racionale të opozitës për reformat në ekonomi, në drejtësi dhe fusha të tjera për të cilat kërkohet mirëkuptimi shumëpalësh, gjë që e kërkojnë edhe institucionet ndërkombëtare. Qëndrime të ngjashme kanë mbajtur gjatë dy dekadave të fundit periodikisht këto forca kryesore politike, teksa njëra bojkoton dhe tjetra kërkon bashkëpunim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG