Lidhje

Basha: Ligji i Vetting-ut shkeli Kushtetutën


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në Tiranë se reforma në drejtësi po bëhet mbi standartet dhe normat europiane, por me ligjin e vettingut socialistët shkelën Kushtetutën.

Zoti Basha pohoi në studion e hapur të televizionit News 24 se konsensusi politik i 22 korrikut ishte shumë i rëndësishëm, PD luajti një rol përcaktues, ndërsa tani procesi është teknik dhe legjislativ.

Sipas tij, socialistët premtuan se për 17 nga 39 ligjet gjithsej ata do të punonin me konsensus, por ata po vazhdojnë pa dëgjuar asnjë nga propozimet tona.

“Socialistët po mundohen të kapin me ligjet pasuese ato institucione që nuk i kapën dot me paketën kushtetuese. Ata po shkelin Kushtetutën e miratuar më 22 korrik, ndaj Partia Demokratike do të kërkojë që të verifikohet nëse ligji i vetting-ut shkeli apo jo Kushtetutën” - tha ai.

Zoti Basha tha se procesi ishte traumatik, por produkti i reformës ishte pozitiv për shqiptarët.

“Opozita mbetet e angazhuar që të sjellë propozimet e saj për secilin nga projekt-ligjet, që plotësojnë reformën në sistemin e drejtësisë, por socialistët nuk pranuan asnjë nga propozimet për ligjin e vetting-ut dhe u përpoqën të kapin institucionet e reja” - tha zoti Basha.

Reforma në drejtësi, sipas tij, është një temë e mbyllur me sukses, ndërsa tani synimi i opozitës është reforma zgjedhore dhe një qeveri teknike për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme, në mënyrë që të shmanget korrupsioni, droga dhe abuzimet me pushtetin.

Komisioni parlamentar i reformës po përgatit 6 projekt-ligje të tjera, të cilat pritet të miratohen pas dy javësh. Ligji i përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si ligji i vetting-ut, u miratua nga votat e shumicës socialiste në një seancë plenare, ku opozita u largua, duke protestuar për disa nene si antikushtetuese.

Të njëjtën rrjedhë mund të marrë edhe seanca e radhës në parlament, ku presin një seri ligj për t'u plotësuar reforma e sistemit të drejtësisë.

Edhe për socialistët reforma në drejtësi është një angazhim kryesor. Ata pohuan se pas konsensusit të gjerë të 22 korrikut, ligjet e tjera mund të kalojnë me shumicë të thjeshtë, sepse parimet bazë janë miratuar.

XS
SM
MD
LG