Lidhje

Tiranë: Opozita kërkoi qeveri teknike


Partia Demokratie e opozitës kërkoi sot krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse sipas saj, qeveria socialiste e zhytur në korrupsion po e keqqeveris vendin.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se drejtuesit e koalicionit qeveritar, kryetari i parlamentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, këshilli i ministrave dhe administrata e tyre janë të zhytura në një seri skandalesh korruptive.

Ai kërkoi sërish hetim ndërkombëtar për çështjen CEZ-DIA, ku dyshohet se në aferën korruptive miliona euro janë përfshirë kryesuesit e koalicionit qeveritar.

Zoti Basha përmendi edhe abuzimet e qeverisë me tendera dhe prokurorime të fondeve publike, të cilat nuk hetohen për të ndëshkuar shkelësit e ligjit.

Drejtuesit e shumicës, tha ai, e mbushën parlamentin me deputetë të inkriminuar, për të cilët tani po rezistojnë miratimin e një ligji për dekriminalizimin e institucioneve.

Drejtuesi i opozitës tha se ndërkohë që korrupsioni po lulëzon në çdo sektor të qeverisjes socialiste, shumica e tyre parlamentare miratoi një ligj për procedurat tatimore, i cili gjobit rëndë bizneset për shkelje të rëndomta, pasi burgosi tretgtarë të vegjël për kupona tatimorë..

“Shumica socialiste po ashtu është gati të miratojë një projekt-ligj për kthimin e kompensimin e pronave, i cili është në fakt një ligj për rishtetëzimin e tyre, duke i kompensuar me vlera minimale” - tha zoti Basha.

Ai u bëri thirrje pronarëve që po humbin pronat, tregtarëve që po gjobiten, qytetarëve, që po vuajnë shtrëngesat e qeverisë dhe rritjen e çmimeve, që të mblidhen së bashku në kryeqytet për të protestuar në 8 dhjetor,

“Nuk po kërkojmë për të ikur ata dhe për të ardhur ne, por për të afruar zgjedhjet e parakohshme, ku qytetarët të zgjedhin përsëri se kush ka projektin më të mirë qeverisës” - tha zoti Basha.

Koalicioni socialist është tashmë në gjysmën e mandatit qeverisës të marrë në 2013 me shumicë dërrmuese të votave.

Të majtët po ashtu fituan thellë edhe zgjedhjet vendore të para pak muajve, duke marrë shumicën e 61 bashkive të reja të rindara sipas ligjit për refomën administrative territoriale.

Drejtuesit socialistë janë shprehur se reformat që po ndjekin janë të dhimbshme, por janë të domosdoshme për të shpëtuar ekonominë nga vështirësitë që krijoi keqqeverisja e demokratëve.

XS
SM
MD
LG