Lidhje

PD në protestë për zgjedhjet në bashkinë e Korçës


Pas tetë vjetësh në qeverisje, Partia Demokratike po u kthehet tubimeve protestuese, duke marrë shkas nga dyshimet e saj se socialistët u përpoqën të fitojnë zgjedhjet vendore për bashkinë e Korçës përmes pagesave të disa qindra studentëve. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi gjatë një bisede televizive në mbrëmje se pamjet e transmetuara nga televizioni Top Channel me lista dhe pagesa 20 dollarëshe të studentëve treguan manipulim të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Korçës dhe cënim të demokracisë. Ai deklaroi në televizionin Klan se manipulimi dhe blerja e votës është një çështje themelore, ndaj opozita do të protestojë të hënën në mesditë me një tubim para kryeministrisë.

Partia Socialiste i ka hedhur poshtë këto akuza. Përfaqësues të forumit rinor socialist dhe më pas kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaruan se ato pagesa ishin për transportin e të rinjve, të cilët u vunë tërësisht në dispocizion të prokurorisë. Dyshimet për blerje votash në Korçë u bënë temë enjë debati të gjatë edhe në parlament. Kryeministri Edi Rama i kërkoi opozitës që akuzat e saj t'i paraqesë në organet e drejtësisë.

Në Korçë u bënë zgjedhje të parakohshme vendore për shkak se kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, u emërua zëvendës-kryeministër. Forcat kryesore politike e kanë akuzuar vazhdimisht njëra tjetrën për blerje votash dhe manipulim të rezultateve zgjedhore. Demokratët braktisën disa seanca parlamentare lidhur me aktin normativ, që shtyu hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Ndërsa tani tubimi i të hënës e kthen opozitën tek protestat pak javë pas formimit të parlamentit dhe qeverisë së re socialiste. Ndërkohë Bashkimi Europian u ka kërkuar forcave politike që, krahas luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, të zhvillojnë dialogun e frytshëm politik, i cili gjithnjë e më shpesh të gjejë zgjidhje me mirëkuptim të problemeve që ka vendi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG