Lidhje

Lumi Potomak, më i rrezikuari nga ndotjet për vitin 2012


Potomac Named Most Endangered River
Potomac Named Most Endangered River
Grupi për Mbrojtjen e Lumenjve Amerikanë thotë se lumi Potomac i cili rrjedh brigjeve të Uashingtonit është lumi më i rrezikuar nga ndotjet për këtë vit në Shtetet e Bashkuara. Organizata thotë se ndotja e lumit Potomac po ul cilësinë e ujit si dhe po kërcënon jetën bimore e shtazore të tij. Sipas kësaj organizate situata do të përkeqësohet nëse Kongresi kthen një akt të vitit 1972, i cili mbron burimet e pastra ujore.

Lumi Potomac shihet nga qindra mijëra njerëz çdo ditë teksa gjarpëron nën urat dhe kalon krah përmendoreve të kryeqytetit amerikan. Ai përdoret për aktivitete çlodhëse si dhe është burim i ujit të pijshëm për 5 milion njerëz.
Përpara se lumi Potomac të mbërrijë në Washington, ai përshkon tokat bujqësore të 4 shteteve, për të vazhduar me rrjedhën e tij drejt gjirit të Chesapikut, grykëderdhja më e madhe ujore në vend.

Sipas presidentit të organizatës së Lumenjve Amerikanë, Bon Irvin, cilësia e ujit në lumin Potomac është dëmtuar nga ndotjet, përgjatë gjithë shtratit të tij.
“Ai rrjedh përmes tokave bujqësore, duke marrë mbetjet e pesticideve të përdorura për të mbjellat, dhe duke marrë mbeturinat bujqësore në rrymat e tij. Pasi kalon përmes zonave bujqësore të Washingtonit, ai përballet me mbetjet që vijnë nga rrugët tona dhe kur ka shira të rrëmbyeshëm ujrat e zeza rrjedhin në lumin Potomac”.

Këto derdhje ujore e shqetësojnë Don Boesch, drejtues i Universitetit të Merilandit, Qendra për Mjedisin Shkencor. Ai thotë se rrjedhjet ujore krijojnë zona të vdekura ku bota bimore e shtazore e ujit nuk mund të mbijetojë.

“Ka pak depërtim të dritës nën ujë dhe disa herë ka edhe nivele të ulëta të oksigjenit në të “.
Ai thotë se përpara pasurimit të cilësisë së lumit, duhet studiuar përmbajtja e lëndëve ushqyese të rrëkeve që derdhen në Potomac.
“Ka elementë të mirë që nxisin jetën e lumit, por ato janë faktikisht me shumicë dhe kjo shkakton probleme negative në lumë”.
Ky central elektrik që punon me qymyr do të mbyllet së shpejti, por deri atëherë, ai derdh substanca toksike në ujë duke ndryshuar habitatin e tij, thotë Whit Overstreet, i cili punon me grupimn ambjentalist Mbrojtësit e lumit Potomac.

“Ata derdhin ujin e nxehtë në lumë kur natyrshëm ai nuk duhet të ketë këtë temperaturë; kjo mund të jetë problem për jetën bimore të tij”.
Shkencëtarët kanë zbuluar gjithashtu se elementët kimikë kanë shkaktuar devijime seksuale tek bota shtazore e nënujit. Por Steve Chaconas i cili njihet si njohës i peshkimit, mendon se lumi Potomac është më i pastër në krahasim me ujin e ndotur që ishte vite më parë.

“Peshqit janë gjallëruar! Më në fund njerëzit po pastrojnë vetë vendin që vizitojnë”.
Organizata e lumenjve amerikanë paralajmëron se Potomac-u dhe lumenj të tjerë mund të shterrojnë nëse Akti për Ujërat e Pastër i viti 1972 dobësohet – një hap që duket i mundshëm thotë zoti Irvin.
“Ligjvënës nga zona të ndryshme të vendit që përfaqësojnë interesa të mëdha bujqësore dhe industriale po përpiqen që ta dobësojnë këtë akt, po përpiqen që të pengojnë qeverinë federale të mbrojë përshembull përrenjtë e vegjël dhe tokat nënujë, si dhe të rregullojë sasinë e përdorimit të pesticideve në tokat bujqësore”.
Grupet për mbrojtjen e burimeve ujore po i bëjnë thirrje Kongresit amerikan që të shfuqizojë çdo ligj i cili shkatërron këto mbrojtje natyrore dhe jetike për lumenjtë.
XS
SM
MD
LG