Lidhje

Libi, zgjedhje të lira pas 60 vjetësh


Libianët do të zgjedhin nesër midis 1 mijë e 400 kandidatëve për Kuvendin Kombëtar 200 anëtarësh

Gati tre milionë libianë janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e para shumëpartiake në vend, në 60 vjet, të caktuara për të shtunën. Ata do të zgjedhin midis 1 mijë e 400 kandidatëve për Kuvendin Kombëtar 200 anëtarësh, i cili do të formojë një qeveri të përkohshme dhe do të hartojë Kushtetutën, duke caktuar më pas zgjedhje të tjera për vitin e ardhshëm.

Nëntë muaj më parë, libianët ishin duke festuar në këtë shesh në qendër të Tripolit. Ata e quajtën atë Sheshi i Dëshmorëve, në kujtim të luftëtarëve që humbën jetën gjatë revolucionit, i cili i dha fund sundimit 42 vjeçar të Moammar Gadafit.
Sot, sheshi është plot me makina dhe me postera të fushatës për zgjedhjet e së shtunës.

Lokalet e Tripolit gumëzhijnë me biseda mbi zgjedhjet. Studenti Amin Siyala është kthyer për të kaluar verën nga Britania, ku studion.

"Gjërat nuk janë përmirësuar shumë, menjëherë. Kjo është e vërteta për momentin. Por, pa dyshim, ne e dimë se do të bëhet më mirë, sepse ende duhet kohë që të zhvillohen zgjedhjet e të krijohet një qeveri e re që të sjellë ndryshim."

Jo shumë larg, në një kafene më tradicionale pranë disa rrënojave historike, edhe disa burra më të moshuar duan të flasin për çështje politike. Mohammed al-Hadi bin-Noba thotë se shumë libianë nuk e kanë të qartë se për çfarë po votojnë. Por ai thotë se në një farë mënyre kjo nuk ka rëndësi.

"Zgjedhjet janë të një rëndësie dytësore krahasuar me gjakun që është derdhur për të bërë të mundur revolucionin."

Ka ende shqetësime lidhur me sigurinë, për shkak të përleshjeve fisnore, luftimeve mes milicive të krijuara për revolucionin dhe mosmarrëveshjeve rajonale mbi ndarjen e pushtetit. Një raport i kësaj jave i Amnesty International thotë se këto probleme duhet të vihen nën kontroll.

Analisti britanik Anthony Skinner ka të njëjtin shqetësim, por ai i tha Zërit të Amerikës përmes Skypit se në përgjithësi trajektorja e situatës në Libi është pozitive.

"Është e pashmangshme që këto grupe të ndryshme të duan të mbrojnë interesat e tyre. Ata do të vazhdojnë të kërkojnë pushtet. Dhe për fat të keq, për shkak të nivelit të armatimit dhe për shkak se grupe milicore të ndryshme nuk janë përfshirë në ushtri, them se kjo do të shkaktojë beteja të tjera me armë."

Por problemet janë shumë larg mendimeve të kësaj familjeje në Tripoli.
Dr. Mohammed Reda Mangoos dhe gruaja e tij Naima Al-Taher janë të kënaqur në lidhje me zgjedhjet, dhe mjekut i kujtohen ende zgjedhjet e fundit të lira të Libisë, në vitin 1952.

"Atëhere unë isha rreth gjashtë vjeç. Ende më kujtohet si një ëndërr. Në qytetin tim votohej. Tani, jemi krenarë ta përjetojmë këtë përsëri."

"Për ne mjafton që shohim gjithë këto postera të kandidatëve përreth, me ngjyra dhe fytyra nga shumë personalitete. Më parë, gjithandej, shihej fotografia e një njeriu të vetëm. Nuk shihje askënd tjetër, përveç Gadafit."

Më shumë se 140 parti dhe fraksione të vogla, si dhe qindra kandidatë të pavarur, po zhvillojnë fushatë për zgjedhjet. Islamistët priten të dalin mirë, ashtu si edhe një grup zyrtarësh laikë, që morën pjesë në tranzicionin e vitit të kaluar. Por libianë të të gjitha sferave të jetës thonë se, pavarësisht se kush i fiton zgjidhet, vendi do të ndërmarrë një rrugë të moderuar.
XS
SM
MD
LG