Lidhje

Maqedoni: Marrëveshja mund të dështojë


Në Maqedoni, marrëveshja politike e 2 qershorit duket se është para rrezikut të dështimit. Bisedimet e para dy ditëve ndërmjet katër drejtuesve të partive kryesore dhe komisionerit Johannes Hahn rezultuan pa ndonjë sukses dhe nuk ka ndonjë shenjë përparimi, as nga vazhdimi i bisedimeve në kuadër të grupeve të punës së partive VMRO, Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratiuke Shqiptare.

Eksperti evropian Peter Van Houtte, i cili ndërmjetëson takimet e grupeve të punës, paralajmëroi se marrëveshja mund të dështojë në tërësi, nëse partitë nuk arrijnë pajtim mbi çështjet kryesore, deri në fund të javës.

Kështu, do të ketë rrezik edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të caktuara për më 23 prill të vitit që vjen, me që nuk do të mund të zgjidhet Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe as të bëhet pastrimi i regjistrit zgjedhor.

Komuniteti ndërkombëtar shqetësohet sepse dështimi eventual mund të ketë pasoja edhe për qëndrueshmërinë e Maqedonisë.

Zoti Van Houtte nuk e përjashton mundësinë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të vendosin sanksione, siç janë ngrirja e llogarive bankare në vendet e huaja të politikanëve dhe vendosja e tyre në të ashtuquajturat "lista të zeza".

Eksperi belg Van Houtte vuri në dukje se gjyqësori i Maqedonisë po pengon funksionimin e Prokurores së Përgjithshme dhe ekipin e saj dhe se” dikush po përpiqet që ligjin ta shpallë si jokushtetues”, tha ai.

Zvarritja e formimit të Komisionit Anketues për trajtimin e bisedave të përgjuara telefonike dhe çështja e publikimit ose jo e këtyre bisedave, që në opinionin publik njihen si “bomba”, paraqet problemin më të madh. Kjo prek lirinë e shprehjes dhe media ka të drejtë të publikojë gjithçka është në interes publik, sipas zotit Van Houtte.

Një çështje tjetër është mungesa e vullnetit për formimin e qeverisë teknike, për shkak se partitë nuk po mund të pajtohen lidhur me autorizimin e ministrave dhe zëvendësve të tyre.

Eksperti evropian thotë se nuk ka një plan B, që do ta çonte Maqedoninë drejt integrimeve euro-atlantike.

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreson se do të ketë një marrëveshje të shpejtë. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, i cili është zyrtar i lartë i BDI-së, thotë se nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për zgjjidhjen e krizës.

Ndërkohë, analistët në Shkup janë të mendimit se dështimi i zgjidhjes së problemeve të krijuara që nga fillimi i vitit, mund të ketë pasoja të rrezikshme për Maqedoninë.

XS
SM
MD
LG