Lidhje

Maqedoni: Arrestohen 7 persona


Polica maqedonase mëngjesin e së enjtes ka arrestuar 7 persona të dyshuar për dhënien ndihmë grupeve të armatosura në ngjarjet e Kumanovës, në muajin maj. Të arrestuarve pritet t’u caktohet paraburgimi prej tridhjetë ditësh. Sipas njoftimeve të policisë, ata u kanë ndihmuar pjesëmarrësve në sulmet e përgjakshme në Kumanovë, që të largohen nga territori i Maqedonisë, ose t’i kenë mbajtur në shtëpitë e tyre, apo t’u kenë siguruar mjete logjistike.
Aksioni i policisë është zhvilluar në fshatrat Hotël, Brezë, Mateç, Haraçinë si dhe në Shkup e në Kumanovë. Ministria e Punëve të Brendshme thotë se gjatë bastisjes ka gjetur “harta të Shqipërisë së madhe, uniforma të UÇK-së, një pushkë automatike dhe municion, telefona celularë dhe pajisje të tjera”.
Ndërkohë, hetimet mbi ngjarjet e Kumanovës janë në përfundim e sipër dhe prokuroria maqedonase duhet t’ua paraqesë të akzuarve dëshmitë dhe pas një afati prej dy javësh të ngrejë aktakuzë kundër tyre.
Tetë policë të forcave maqedonase mbetën të vrarë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, më 9 dhe 10 maj të këtij viti. Procesi gjyqësor po zhvillohet kundër tridhjetë vetëve të këtij grupi.
XS
SM
MD
LG