Lidhje

Maqedoni: Gazetari i “përgjimeve” – në burg


Shoqatat e Gazetarëve të Maqedonisë shprehën pakënaqësinë me vendimin e autoriteteve serbe për dorëzimin e gazetarit maqedonas, Zoran Bozhinovski, tek autoritetet e Shkupit, që e akuzojnë atë për spiunazh, komplot kriminal dhe shantazh.

Gazetari kundërthënës, Zoran Bozhinovski, u arrestua të enjten në Novi Sad të Vojvodinës në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga autoritetet maqedonase. Po të enjten ai iu dorëzua autoriteteve të Maqedonisë.

Në vitin 2013, ai ishte akuzuar bashkë me 20 të tjerë si pjesë e një grupi, që sipas autoriteteve maqedonase, ishte marrë me spiunazh dhe me shantazhimin e personave publik, të cilëve u ishin kërkuar para në shkëmbim të mospublikimit të hollësive nga jeta e tyre private.

Bozhinovski që prej vitesh jeton në Serbi, u bë i njohur me publikimin në internet të bisedave të mbledhura në skandalin e përgjimeve që tronditi opinionin publik në Maqedoni vitin e kaluar, duke çuar në një krizë të thellë politike.

Pjesë e publikimeve ishin edhe personalitetet e politikës shqiptare në Maqedoni, përfshirë edhe një audio-regjistrim midis ish zëvendës-kryeministrit Musa Xhaferri dhe deputetes Ermira Mehmeti, të dy anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Shoqatat e gazetarëve në Maqedoni, shprehën të premten shqetësimin dhe siç thuhet, dëshpërimin me vendimin e shpejtë të Beogradit për dorëzimin e Bozhinovskit, ndërsa e cilësojnë vendimin si të motivuar politikisht.

Kriza e shkaktuar nga skandali i përgjimeve u përshkallëzua pas vendimit të presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, për të ndërprerë hetimet lidhur me këtë skandal.

Vendimi që sipas presidentit Ivanov synonte t'i jepte fund "agonisë politike në të cilën ndodhej vendi prej një viti", u kritikua me forcë edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa opozita është hedhur në protesta tash e dhjetë ditë me radhë duke kërkuar anulimin e vendimit, por edhe shtyrjen e zgjedhjeve të caktuara për datën 5 qershor.

XS
SM
MD
LG