Lidhje

Përpjekje për zgjidhjen e krizës në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Partitë politike në Maqedoni që synojnë formimin e qeverisë, pasi presidenti i vendit Gjorgje Ivanov refuzoi t’ia japë mandatin shumicës parlamentare, po përpiqen të gjejnë zgjidhje.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogerini u tha dje zyrtarëve shtetërorë dhe drejtuesve politikë në Shkup, se duhet ta respektojnë kushtetutën dhe të mos lejojnë shkallëzimin e gjendjes politike në një krizë ndëretnike.

Partitë politike, të cilat përmes firmave për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë përbëjnë shumicën parlamentare, po mendojnë për një plan B pas refuzimit të presidentit Ivanov për t'i dhënë mandatin për formimin e qeverisë Zoran Zaevit të Lidhjes Social Demokrate, i cili pretendon të marrë postin e kryeministrit.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka pranuar për një plan të tillë, nuk ka dashur të japë hollësi për të. Ajo që parashikohet me kushtetutë, nëse presidenti përfundimisht nuk e jep mandatin, është mbledhja e parlamentit dhe miratimi i kabinetit qeveritar nga vetë shumica parlmentare. Por, aktualisht parlamenti nuk e ka zgjedhur kryetarin e tij pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit e as komisionet përkatëse, që do ta zvarrisnin me javë të tëra realizimin e këtij plani, sipas ekspertëve.

Gjendja e krijuar ka zhgënjyer komunitetin ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimin Evropian që kanë ndihmuar në arritjen e marrëveshjes së Përzhinës verën e kaluar, për t’i dhënë fund krizës politike dyvjeçare në Maqedoni dhe për t’i hapur rrugën reformave.

Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila të enjten ishte për një vizitë në Shkup, i ka kërkuar presidentit Gjorgje Ivanov që të reflektoj dhe ta tërheqë vendimin në interes të qytetarëve.

Zonja Mogherini citoi pjesë të kushtetutës së Maqedonisë, ku thuhet se mandati duhet t’i jepet një kandidati të partive që kanë shumicën në parlament. “Ne presim që të respektohet kushtetuta”, - tha zyrtarja e lartë evropiane.

Ajo u ka kërkuar edhe drejtuesve të tjerë politikë me të cilët u takua, që të ulin retorikat dhe të shmangin shndërrimin e krizës politike dhe institucionale në një krizë ndëretnike, madje edhe më keq, në një konflikt gjeopolitik, siç tha ajo.

Nga ana tjetër, Rusia, e cila kohët e fundit ka shfaqur interes për ta shtrirë ndikimin e saj edhe në Maqedoni, ka reaguar përmes Ministrisë së saj të Jashtme, duke akuzuar Shqipërinë, Naton dhe Bashkimin Evropian për përpjekjet, sipas saj, për t’i imponuar një qeveri pro-shqiptare Maqedonisë.

“Platforma shqiptare e përpiluar në Tiranë”, sipas ministrisë ruse, “paraqet dëshmi për pretendimet e Shqipërisë ndaj territoreve të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë, si pjesë e një projekti të quajtur Shqipëri e Madhe”.

Moska, në këtë kuadër akuzon edhe Kosovën për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, “ndërsa Perëndimi deshi ta sjellë opozitën humbëse në pushtet”, theksonte komunikata.

Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë hedhur poshtë kritikat ndaj tyre dhe ndaj autoriteteve të larta të Shqipërisë, duke thënë se ajo që njihet si platformë në opinionin publik, është përpiluar në Shkup, ndërsa në Tiranë janë mbajtur takime, për shkak të refuzimit të Lëvizjes Besa për t’u takuar pa praninë e kryeministrit Edi Rama.

BDI, ndërkohë, ka lënë të kuptohet se edhe me VMRO-në është biseduar mbi platformën e njejtë dhe se partia maqedonase kishte pranuar shumë çështje të parashtruara nga ajo, përfshirë zyrtarizimin e shqipes, por se kishte qenë kundër vazhdimit të mandatit të Prokurorisë së Posaçme, një nga çështjet e përfshira në këtë platformë. Megjithatë, VMRO-ja i hedh poshtë thëniet, ndërsa mbështetës të saj për çdo natë po hidhen në protesta kundër zyrtarizimit të shqipes, që do të çonte drejt asaj që ata e quajnë federalizim dhe ndarje të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG