Lidhje

Kriza në Maqedoni: Palët hyjnë në takim me qëndrime të kundërta

  • Isak Ramadani

Në Bruksel kanë filluar bisedimet e katër drejtuesve të partive kryesore të Maqedonisë me ndërmjetësimin e komisionerit evropian për politikat e fqinjësisë dhe zgjerim, Johanes Hahn, për zgjidhjen e krizës politike të këtij vendi.

Palët kanë qëndrime krejt të kundërta për sa i përket pjesëmarrjes dhe drejtimit të një qeverie të përkohshme e cila do ta çonte vendin në zgjedhjet e parakohshme të prillit që vjen.

Opozita maqedonase ngul këmbë që nje qeveri e çfarëdo formati nuk duhet të përfshijë kryeministrin aktual Nikolla Gruevski.

Takimi në Bruksel synon kapërcimin e dallimeve në qëndrimet mbi zgidhjen e krizës politike.

Kryeministri Gruevski, i cili drejton dhe partinë VMRO-DPMNE, Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi kanë rënë dakord qysh para një jave në Shkup për zgjedhje të parakohshme, por opozita maqedonase ngul këmbë që këto zgjedhje të organizohen nga një qeveri teknike ose e përkohshme.

Komisioneri Hahn pas fillimit të takimit kishte shkruajtur në rrjetet sociale se shpresonte që kjo të ishte një ditë e mirë për të ardhmen e Maqedonisë.

Drejtuesi opozitar Zoran Zaev para nisjes për në Bruksel i ka thënë shtypit maqedonas se vetëm një qeveri e përkohshme pa zotin Gruevski mund të organizojë zgjedhjet parlamentare.

Ai ka pranuar se qëndrimet janë skajshmërisht të kundërta në mes opozitës dhe qeverispushtetit, ndërkohë që mendon se argumentet janë në anën e opozitës për shkak se “synimi i përgjithshëm është që të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike në Maqedoni”.

Dështimi i bisedimeve, do të kishte pasoja, sipas vetë aktorëve politikë, në afrimin e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, përkatësisht vendi mund të rrezikojë humbjen e rekomandimit në raportin e progresit që do të dalë në muajin tetor, për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit politikë shqiptarë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi në Bruksel paraqiten me kërkesat për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht për avancimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve të Maqedonisë, megjithëse është e qartë se çështja e këtyre bisedimeve është krijimi i kushteve për zgjedhje të parakohshme që do të mbaheshin deri në muajin prill të vitit 2016.

Në Bruksel kanë udhëtuar edhe ambasadorët nismëtarë për zgjidhjen e krizës, ai i Shteteve të Bashkuara Jess Baily dhe i Bashkimit Evropian Aivo Orav, ndërkohë që komisionerit Hahn i ndihmon edhe deputeti i Parlamentit Evropian, slloveni Ivo Vajgël.

Zgjedhjeve të parakohshme duhet t’u paraprijnë reforma ligjore, si ndryshimet e Kodit zgjedhor, pastrimi i listave të votuesve, një problem që është përsëritur gjatë çdo cikli zgjedhor, pastaj pavarësia e gjyqsorit dhe liria e medias.

Njohësit e rrethanave politike mendojnë se komisioneri Hahn do të këmbëngulë që të paktën të shënohet një lloj suksesi ose përparimi nga takimi i së mërkures. Analistët, megjithatë vlerësojnë se zgjidhja nuk do të jetë e shpejtë dhe në këtë rast Bashkimit Evropian do t’i duhet të dërgojë një përfaqësues të posaçëm në Maqedoni për të lehtësuar bisedimet.

XS
SM
MD
LG