Lidhje

Hoyt Yee takohet me zyrtarët në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili vizitoi Shkupin, për të biseduar me drejtuesit politikë të atjeshëm lidhur me mënyrat e dhënies fund të krizës politike që ka përfshirë vendin prej më shumë se një viti, tha se duhet sa më parë të hiqet vendimi për falje dhe të zbatohen reformat që dalin nga marrëveshja e verës së vitit të kaluar. Ndërkohë, në Shkup ka shkuar i dërguari i posaçëm gjerman Johannes Haindl, për të ndërmjetësuar në krizën e atjeshme.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee i cili të mërkuren dhe të enjten qëndroi në Shkup për takime me drejtuesit e këtushëm politik, tha se drejtuesit politikë të Maqedonisë duhet medoemos ta rregullojnë dëmin e bërë nga vendimi për faljen e politikanëve.

Ai tha se kjo duhet bërë në mënyrë të qartë, gjithpërfshirëse, pa hamendje dhe sa më parë të jetë e mundur.

“Nëse drejtuesit i heqin faljet vetëm në një mënyrë të pjesshme dhe selektive, kjo do ta shtonte ndjenjën e mosndëshkueshmërisë në vend dhe të mungesës së përgjegjësisë”, tha ai. Zyrtari i lartë amerikan shtoi se me përgjegjësi nënkuptohet mbështetja e të gjitha insitucioneve të ngarkuara për zbatimin e sundimit të ligjit, përfshirë Prokurorinë Speciale që ka për detyrë pastrimin e rasteve që dalin nga përmbajtja e bisedave të përgjuara.

Hoyt Yee tha më tej se qeveria duhet të shfaqë masa të dukshme dhe përkushtim për një demokraci pluraliste si dhe atë që partitë politike e arritën në marëveshjen e Përzhinës. Kjo parashikon përfshirjen e opozitës dhe shoqërisë civile ,si elementë kyç për kontrollin e pushtetit të qeverisë, theksoi zyrtari amerikan.

Ai nuk deshi të bëjë komente lidhur me ndërrimin e ministrave të Lidhjes Social Demokrate nga Parlamenti mbrëmë dhe emërimin në vend të tyre të ministrave të VMRO-DPMNE-së, por la të kuptohej se për SHBA është me rëndësi zbatimi i reformave dhe përkushtimi ndaj marrëveshjes së Përzhinës. “Cilado qeveri të jetë, ne na interesojnë veprat dhe jo vetëm fjalët, realizimi dhe jo vetëm premtimet, zotimi drejt zgjedhjeve të besueshme dhe të lira, kur të krijohen kushte për mbajtjen e tyre”, tha zoti Yee.

Ndërkohë, në Shkup ka arritur edhe i dërguari i posaçëm gjerman Johannes Heindl, i cili do të ndërmjetësojë në arritjen e një zgjidhjeje ndërmjet faktorëve kyç politik në Maqedoni.

Nga ana tjetër, dy partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DMPNE dhe BDI kanë dorëzuar të enjten në parlament një propozim për tërheqjen e vendimit të presidentit për falje. Vendimi i tij ka bërë që për çdo ditë mijëra njerëz të dalin në rrugë duke hedhur ngjyrë mureve të ndërtesave dhe mbi monumente, për ndërtimin e të cilave qeveria maqedonase ka shpenzuar miliona Euro.

XS
SM
MD
LG