Lidhje

Dhjetë orë bisedime – pa ndonjë rezultat


Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevksi dhe shefi i opozitës Zoran Zaev biseduan deri në mëngjesin e mërkurës në Strasburg, por ende nuk dihen hollësi të bisedimeve

Takimi midis dy drejtuesve politikë maqedonas në Strasburg ka zgjatur për dhjetë orë, në përpjekje të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni.

Takimi i ndihmuar nga deputetët e Parlamentit Evropian Ivo Vajgel, Eduard Kukan dhe Richard Houit, ka zgjatur deri pas orës tre të mëngjesit të së mërkurës, siç njofton media maqedonase nga Strasburgu, ndërsa nuk ka shumë hollësi për rezultatet e mundshme të tij.

Përfaqësuesit politikë, Nikolla Gruevski, kryeministër dhe kryetar i partisë VMRO-DPMNE dhe Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate kanë njoftuar, secili veç e veç, lehtësuesit evropianë të takimit, përfshirë edhe komisionarin për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit të Bashkimit Evropian Johanes Hahn, me gjendjen e krijuar në Maqedoni pas skandalit të përgjimeve.

Lehtësuesit evropianë, pas takimit, kanë përshëndetur me anë të një komunikate, “përpjekjet e drejtuesve të partive për arritjen e një marrëveshjeje në pajtim me standardet evropiane, e cila do të zgjidhte sfidat që dalin nga kriza. Partitë e konfirmuan përcaktimin e tyre për integrim në Bashkimin Evropian dhe për parimet demokratike dhe ranë dakord që në rend të parë duhet t’i vendosin interesat e vendit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kuadër, sot Parlamenti Evropian do të debatojë mbi gjendjen në Maqedoni, por nuk pritet të dalë me ndonjë përfundim.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland ka bërë thirrje të martën për një hetim të paanshëm dhe të besueshëm lidhur me akuzat e ngritura nga opozita maqedonase për përgjimin e paligjshëm të njëzet mijë njerëzve.

Në një konferencë të përbashkët shtypi edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Roberto Zannier ka shprehur shqetësim për “rritjen e polarizimeve ndërmjet aktorëve të ndryshëm politikë në Maqedoni”, ndërkohë që ka bërë thirrje për një angazhim të hapur politik.

Dy rivalët politikë kanë qëndrime tejet të kundërta për sa i përket zgjidhjes së krizës politike, që po zgjatë prej disa muajsh.

Zoran Zaev i opozitës ngulë këmbë për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe të qeverisë së tij, për t’i hapur rrugë një qeverie të përkohshme që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, zoti Gruevski në këtë fazë, e ka kundërshtuar propozimin, duke thënë se gëzon mbështetjen dhe vullnetin e popullit dhe të votuesve.

Pas një jave, bisedimet do të vazhdojnë në Shkup, me përfshirjen edhe të dy përfaqësuesve politikë shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz.

XS
SM
MD
LG