Lidhje

Maqedoni: Miratohen ministrat e rinj të BDI


Parlamenti i Maqedonisë miratoi sot kandidatët për ministra dhe zëvendësministra të propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Kryeministri i qeverisë teknike, Emil Dimitriev fillimisht refuzoi dy prej emrave, por më pas ishte ai që iu drejtua Parlamentit për të miratuar të gjithë emrat e propozuar për në kabinetin e tij.

Bekim Maksuti në vitin 2012 së bashku me tashmë ish-kryeministrin Fatmir Besimi kishte bërë homazhe tek varrezat e luftëtarëve të rënë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në një fshat të Likovës dhe kjo ishte bërë fillimisht pengesë që z.Dimitriev ta pranonte atë i pjesë të qeverisë së tij. Maksuti u zgjiodh për zëvendësministër të Mbrojtjes. Arlind Zeqiri, ministër pa portofol, ishte personi i dytë i diskutueshëm për kryeministrin maqedonas

Zëvendëskryeministër i ri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do të jetë Festim Halili. Arbër Ademi, zëvendëskryeministër për Euro-Integrime. Driton Kuçi - Ministër i Ekonomisë. Valdet Xhaferi. Ministër i Drejtësisë. Pishtar Luftiu, ministër i Arsimit. Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do ta drejtojë Bashkim Ahmeti. Shyrete Elezi u zgjodh për ministre të Pushtetit Lokal.

Ministrat e rinj janë të rinj edhe në moshë dhe pa shumë përvojë politike. Shumica e tyre janë ligjërues në Universitetin e Tetovës. Emil Dimitriev tha se pret nga kjo përbërje një përkushtim maksimal dhe respektimin e Kushtetutës. Lidhja Social Demokrate refuzoi të votojë për listën e ministrave të rinj.

Vendimi i BDI-së për të ndryshuar anëtarët e kabinetit, erdhi pas një skandali brenda dy zyrtarëve të lartë brenda partisë dhe shikohet në mënyra të ndryshme në opinionin publik. Disa mendojnë ndryshimi ishte pozitiv për t’iu lënë hapësirë njerëzve të rinj të tregojnë kapacitetet e tyre, por të tjerë vlerësojnë se këto janë vetëm manovra të partisë shqiptare në pushtet.

XS
SM
MD
LG