Lidhje

Udhëheqësit e Maqedonisë urojnë presidentin Obama


Ambasadori amerikan në Shkup tha se SHBA do të vazhdojnë lidhjet e forta me rajonin dhe Maqedoninë

Ambasada amerikanë në Shkup organzoi një pritje për përfaqësuesit politikë, korin diplomati dhe personalitete të jetës publike në Maqedoni për të ndjekur shpalljen e fitores në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Ambasadori Paul Wohlers tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë politikën e kultivimit të lidhjeve të forta me rajonin dhe me Maqedoninë. Ai shprehu bindjet se Maqedonia nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara dhe se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve do të vazhdojnë në të ardhmen. “Zgjedhjet presidenciale në Amerikë janë shembull se si duhet të organizohet një proces zgjedhor dhe një proces i qetë e i drejtë zgjedhor e nxjerr shtetin fitues”, tha ambasadori Wohlers.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov i ka uruar fitoren presidentit Obama duke e siguruar atë se “Maqedonia si një vend mik i dëshmuar i kombit të madh amerikan do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet amerikane për paqe globale.”

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, shkruan, mes tjerash në një telegram urimi se shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë janë shumë krenarë për miqësinë me SHBA-në, ndërsa thekson zotimet që kjo miqësi dhe bashkëpunimi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ndërkohë, kryetari i bashkësisë Islame në Maqedoni Sulejman Rexhepi në një telegram dërguar ambasadorit Wohlers shkruan se populli amerikan dëshmoi nivelin e lartë të demokracisë dhe se presidenti Obama mbetet simbol i barazisë në mes njerëzve dhe simbol i lirisë e demokracisë.
XS
SM
MD
LG