Lidhje

Van Haute: Maqedonia bëhet me kod zgjedhor


Ndërmjetësi evropian në bisedimet midis grupeve të punës së katër partive kryesore në Maqedoni bëri të ditur të mërkuren se është arritur marrëveshja për kodin zgjedhor. Megjithatë, zoti Peter Van Hautte u tha mjeteve të informimit se ishin paraqitur mjaft probleme në bisedime, që kishin të bënin me prokuroren e posaçme. Ndërmjetësi tha se prokurorja, sipas ligjit të ri, do të duhej të kishte në dispozicion të gjitha kushtet financiare dhe personelin që ka kërkuar.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate e opozitës ka përgënjeshtuar njoftimet për arritjen e marrëveshjes mbi kodin zgjedhor. Partia vlerëson se nuk mund të flitet për ndonjë marrëveshje kur është shkelur, sipas saj, çështja kryesore – e drejta e prokurores së posaçme Katica Janeva që vetë ta formojë ekipin e saj.

Nga ana tjetër, partnerët e koalicionit aktual qeveritar, VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë shpalosur disa hollësi nga ajo që e quajnë marrëveshje për kodin zgjedhor. Ilija Dimovski i VMRO-së tha se janë marrë vesh me konsensus që diaspora të ketë deputetët e saj që do të zgjidhen sipas modelit proporcional me së paku gjashtë mijë vota.

Ndërkohë, Artan Grubi i BDI-së tha se vendimet në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve do të merren me votim të dyfishtë dhe se partitë maqedonase nuk do të mund t’i mbivotojnë më shqiptarët, sidomos në rajonin veriperëndimor të vendit, ku ka një përqendrim të theksuar të popullatës shqiptare.

Këshilli i Prokurorëve Publik ka miratuar vetëm shtatë nga katërmbëdhjetë emrat e propozuar për prokurorë nga prokurorja e re e posaçme Katica Janeva. Ajo vlerëson se Këshilli ka shkelur ligjin për Prokurorin e posaçëm si dhe marrëveshjen politike të 2 qershorit. Ndërkaq, prokurori publik Marko Zvërlevski e ka quajtur prokurorinë e posaçme si një prokurori politike dhe ka paralajmëruar se do të ngrejë një nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e ligjit për prokurorin e posaçëm.

Në një zhvillim tjetër, deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti ka kërcënuar se mund të largohet nëse nuk realizohen reforma brenda partisë. Ajo kërkon largimin e përqendrimit të pushtetit nga një numër i caktuar i kuadrove të partisë, zëvendësimin e atyre që ajo i quan ministra të përjetshëm në qeveri si dhe rishikimin e veprimtarisë politike të partisë.

BDI-ja nuk i ka komentuar pararalajmërimet e deputetes Mehmeti.

XS
SM
MD
LG