Lidhje

Zgjedhjet në Maqedoni


Në Maqedoni janë mbyllur kutitë e votimit në ora shtatë të mbrëmjes por menjëherë kanë pasuar reagimet e ashpra të Lidhjes Social Demokratë maqedonase, e cila e ka akuzuar pushtetin për manipulime të mëdha të procesit. Ende pa filluar mirë numërimi i votave, Lidhja Social Demokrate tha se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare as presidenciale.

Ndërkohë që u duk se dita e sotme kaloi e qetë, në mbyllje të kutive të votimit në ora shtatë e mbrëmjes Lidhja Social Demokrate maqedonase paralajmëroi se procesi kishte parregullsi të shumta dhe manipulime nga ana e pushtetit. Lidhja Social Demokrate bëri të ditur në një konferencë shtypi se nuk do t’i njohë rezultatet as të zgjedhjeve parlamentare as të atyre presidenciale. Drejtuesi i partisë Zoran Zaev foli për një numër incidentesh dhe blerjen e votave nga ana e partisë VMRO.


Zgjedhjet në Maqedoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:05 0:00

Ndërkohë, kjo e fundit e quajti procesin si të qetë dhe demokratik që nuk e ka pasur Maqedonia ndonjëherë në historinë e saj që nga pavarësia para 23 vjetësh. VMRO tha se do të presë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të shpallë rezultatet dhe se do t’i njohë ato pavarësisht epilogut të tyre.

Ndërkohë, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë shprehur ndonjë interes për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale. Ky vendim pak a shumë kolektiv pason thirrjet e një partia shqiptare për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale.

Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë fushatës u tha shqiptarëve se nuk kishin pse të votonin për presidentin e vendit me që nga kandidatët në garë asnjëri nuk përfaqësonte konceptin e gjithpërfshirjes. Edhe partitë tjera shqiptare qëndruan të heshtura për sa i përket balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.

Në balotazh u përballën Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE i cili garon për një mandat të dytë dhe Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate. Ky i fundit shpresonte në votat e shqiptarëve.

Ka votues të cilët nga ky proces presin përmirësimin e gjendjes ekonomike, por të tjerë nuk shpresojnë për asgjë më të mirë.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti votoi në fshatn e tij të lindjes në Zajaz të Kërçovës ku votën e dha vetëm për zgedhjet parlamentare dhe jo edhe për presidencialet.

Menduh Thaçi i PDSH-së vuri në dukje parregullsitë që bënte, sipas tij BDI-ja me votuesit shqiptarë në disa zona.

Rufi Osmani i Rilindjes Demokraitke Kombëtare theksoi manipulimet dhe parregullsitë e shumta në shumë qendra të diasporës, ku u votua dje për zgjedhjen e tre deputetëve për Parlamentin e Maqedonisë.

Ndërkohë, vëzhguesit e Zyrës Demokratike për të Drejtat e Njeriut (ODIHR) pranë OSBE-së vetëm nesër do të bëjnë komente lidhur me procersin e sotëm zgjedhor.
Për 123 vendet në Parlamentin e Maqedonisë konkurruan 1400 kandidatë. Maqedonia është e ndarë në gjashtë zona zgjedhore brenda vendit dhe tre zonat e diasporës: Amerika, Evropa dhe Australia.

Secila nga gjashtë zonat e vendit dërgon nga njëzet deputetë në Parlament. Numri i votuesve nëpër këto zona është përafërsisht i njejtë, por në zonat numër 2 dhe numër gashtë ku është e përqendruar popullata shqiptare, numri i votuesve të regjistruar është rreth 20 deri në 25 mijë më i lartë nga zonat tjera.

Qendrat e votimit janë mbyllur në ora shtatë e mbrëmjes, dhe aktualisht po bëhet numërimi i votave. Materialet dhe procesverbalet dërgohen në komisionet komunale dhe më pas në Komisionin Shtetëror të zgjedhjeve. Gjatë kësaj procedure, partitë politike përmes anëtarëve dhe vëzhguesve të tyre marrin të dhëna mbi rezultatet dhe deri para mesnate shtabet e partive i mësojnë rezultatet pothuajse të plota. Kështu që, deri para mesnate edhe opinioni publik njoftohet me rezultatet që dalin nga vetë partitë që rëndomë janë të përafërta. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka për detyrim që brenda 24 orësh t’i shpallë rezultatet e para, të cilat janë ende jozyrtare për t’iu lënë hapësirë ankesave të mundëshme nga pjesëmarësit në zgjedhje.
XS
SM
MD
LG