Lidhje

Maqedoni: Gjykata Kushtetuese pezullon veprimtaritë zgjedhore

  • Isak Ramadani

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë vendosi njëzëri të pranojë nismën e Bashkimit Demokratik për Integrim, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e parlamentit të Maqedonisë, që votoi për vetshpërbërjen e tij më 23 shkurt dhe u shpërnda në fillim të prillit për t'u hapur rrugën zgjedhjeve të reja që ishin caktuar për datën pesë qershor.

Gjykata vendosi që deri në vendimin përfundimtar të pezullojë të gjitha veprimtaritë dhe vendimi u arsyetua me sic thuhet " ndjeshmërinë e situatës në të cilën ndodhet Maqedonia".

Nisma e Bashkimit Demokratik për Integrim ka pasuar vendimin e VMRO-DPMNE-së, së Nikolla Gruevkit që e vetme të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e mirëpriti vendimin e gjykatës që sipas tij, mundëson rikthimin e parlamentit si hap i parë dhe i domosdoshëm për zgjidhjen e krizës së rëndë politike.

"Ftoj të gjithë liderët, mediat si dhe shoqërinë civile që të veprojnë me përgjegjësi të plotë përballë gjendjes në të cilën gjendet vendi dhe të kontribuojnë për rikthimin e sigurisë, stabilitetit si dhe të përkushtohemi fuqishëm për një agjendë serioze reformuese", thuhet në reagimin e kryetarit të BDI-së.

Më 11 maj qe mbyllur afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 5 qershorit dhe vetëm partia VMRO-DPMNE i dorëzoi emrat e kandidatëve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Tri partitë tjera më të mëdha: Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare nuk i dorëzuan emrat e kandidatëve.

Kjo bëri që edhe diplomatët perëndimorë të fillojnë përpjekjet për të bindur autoritetet maqedonase që të krijojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, duke nënvizuar se standardet e jo data, kanë rëndësi për zgjedhje demokratike, të ndershme dhe të pranueshme.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u panë si zgjidhje për krizën politike në Maqedoni, të shkaktuar nga skandali i përgjimeve dhe marrëveshja për to u arrit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Por kriza u thellua pasi që më 12 prill, presidenti George Ivanov, vendosi të ndërpresë hetimet lidhur me skandalin e përgjimeve, duke nxitur protesta të opozitës e cila e cilësoi vendimin si "grusht shteti". Edhe diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë mbi presidentin që të heq dorë nga vendimi.

Të martën, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Bryan Yee do të zhvillojë takime me udhëheqësit e katër partive kryesore politike ndërsa të enjten i dërguari i posaçëm gjerman për Maqedoninë, Johannes Haindl, pritet të diskutojë gjendjen në Maqedoni me përfaqësuesit politikë të saj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka karakter të përkohshëm, por ai mund të shërbejë si një pikë kthese në përpjekjet për tejkalimin e situatës së krijuar në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG