Lidhje

Maqedonia përgatitet për zgjedhjet e 24 marsit


Maqedonia po përgatitet për zgjedhjet vendore të 24 marsit. Autoritetet thonë se kanë marrë të gjitha masat që zgjedhjet të mbahen në një atmosferë të rregullt. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për një proces të qetë, të drejtë dhe të ndershëm të zgjedhjeve. Sonte në mesnatë mbyllet fushata parazgjedhore dhe hyn në fuqi heshtja zgjedhore. Një numër i madh i emigrantëve shqiptarë nga vende perëndimore po kthehen në Kërçovë për të votuar; në këtë qytet elektorati është ndarë në vija etnike.

Partitë politike të cilat marrin pjesë në zgjedhjet vendore të së dielës sonte në mesnatë përfundojnë fushatën për t’i lënë hapësirë heshtjes parazgjedhore dyzetë e tetë orëshe. Partitë shqiptare paraqiten me mitingje përmbyllëse në qytetet ku pretendojnë fitoren apo atje ku vlerësojnë se janë bastionet e tyre.
Bashkimi Demokratik për Integrim mban miting në Tetovë, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare në Gostivar.
Kandidatët për kryetarë komunash dhe ata për anëtarë të këshillave komunalë dhe partitë e tyre kanë pasur kohë më shumë se dy javë që të shfaqin programet dhe ofertat e tyre para elektoratit. Kjo fushatë është përqendruar kryesisht te infrastruktura, ndërtimet dhe premtimet për një jetë më të mirë, por nuk kanë munguar, nga ana tjetër, edhe akuzat për pozitën dhe statusin e shqiptarëve, apo shkallën e lartë të papunësisë dhe gjendjen ekonomike të vendit.
Gara ndërmjet shqiptarëve zhvillohet në qytetet e Tetovës, Gostivarit, Strugës, Çairit në Shkup, Dibrës së Madhe dhe në një sërë komunash rurale; por ajo që ka nxitur euforinë më të madhe në këto zgjedhje është Kërçova, ku si shqiptarët poashtu edhe maqedonasit garojnë me nga një kandidat të vetëm.

Në këto zgjedhje komuna e Kërçovës bashkohet me komunat e Zajazit, Osllomesë dhe Drugovës, duke bërë në këtë mënyrë që numri i popullatës shqiptare të kalojë në shumicë. Sipas analizave të faktorëve shqiptarë, se censusi i vitit 2011 u anullua, shqiptarët tash në Kërçovë përbëjnë rreth 62% të popullatës, ndërsa maqedonasit 32-3% dhe pjesën tjetër e përbjënë turqit e romët.

Megjithatë, një numër i madh i shqiptarëve të kësaj zone jeton nëpër vende të Evropës dhe në SHBA dhe pa votat e tyre kjo komunë vështirë mund të drejtohet nga një shqiptar.

Nga ana tjetër, retorika nacionaliste e kryeministrit Nikolla Gruevski lidhur me Kërçovën, duket se ka pasur një efekt të kundërt dhe ka mobilizuar emigrantët që të vijnë të votojnë më 24 mars.

Fatmir Dehari është kandidat i BDI-së, por ai ka mbështetjen e të gjitha partive shqiptare në Kërçovë. Mijëra njerëz u mblodhën mbrëmë në këtë qytet për të marrë pjesë në mitingun e partisë shqiptare.
Kundërkandidati maqedonas Bllagoja Despotoski i VMRO-së e ka mbështetjen e opozotës maqedonase dhe të gjitha partive maqedonase.
Edhe Struga në këto zgjedhje ndan elektoratin në vija etnike, përveç që partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë, ndërsa maqedonasit me një të përbashkët.
Opozita maqedonase ndërkohë, ka denoncuar synimet, sipas saj, për falsifikimin e zgjedhjeve dhe këtë e ka provuar me mobilizimin e një numri maqedonasish nga Liqenasi në Shqipëri që pajisen me dokumenta identifikimi në Shkup për të votuar kandidatët e VMRO-së këtë të diel. Kjo e fundit i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza, ndërsa paralajmëron padi gjyqësore kundër Lidhjes Social Demokrate për shipifje.
Një proces i qetë, i lirë dhe i drejtë i zgjedhjeve të së dielës është kusht për një raport pozitiv të Komisionit Evropian për Maqedoninën që pritet në muajin prill. Këtë qëndim ia kanë bërë të ditur zëvendëskryeminstrit për integrime evropiane të Maqedonisë Fatmir Besimi, dy zyrtarët e lartë në Bruksel Stefano Saninno dhe Pjer Vimont. Ata kanë theksuar interesimin e madh të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mbi procesin e zgjedhjeve në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG