Lidhje

BE inkurajon Maqedoninë të vazhdojë reformat


Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle i cili po viziton Shkupin, tha se ardhmëria e Maqedonisë është tek vizioni i përbashkët dhe se Bashkimi Evropian dhe Marrëveshja e Ohrit janë elementet kyç për këtë vizion. Zoti Fyle mori pjesë në dialogun e nivelit të lartë me qeverinë e Maqedonisë në përpjekje të këtij vendi Ballkanik për t’u integruar në BE. Ai inkurajoi autoritetet që të vazhdojnë reformat.
Komisioneri për zgjerim i BE Shtefan Fyle vjen për herë të tretë në Shkup në kuadër të dialogut të nivelit të lartë, siç e kanë quajtur, midis Komisionit Evropian dhe qeverisë së Maqedonisë që i paraprinë bisedimeve zyrtare për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.


Komisioneri Fyle i quajti shumë të rëndësishme dhe thelbësore disktutimet me qeverinë e Maqedonisë. Ai pret zbatimin e plotë të rezulateteve nga bisedimet. Ai ka nënvizuar arritjen e përparimit në disa fusha në kuadër të udhërrëfyesit të qeverisë në Shkup.
Është me rëndësi që të gjitha partitë politike t’i përkushtohen tërësisht integrimeve evropiane”, tha komisioneri evropian.

Ai tha se kishte ardhur me një shqetësim për shkak të apeleve të partive politike mbi baza etnike në llogari të qëndrueshmërisë politike. Ai theksoi se vendi ka një sistem unik dhe bazë të shëndoshë për bashkëjetesën ndëmjet komuniteteve:
Ardhmëria është tek vizioni i përbashkët për vendin tuaj: BE dhe Marrëvehshja e Ohrit janë elementet kyç për këtë vizion”, tha zyrtari i lartë evropian duke inkurajuar faktorët politik të Maqedonisë që të marrin pjesë në këtë vizion.
Kryeministri Nikolla Gruevski foli për herë të parë publikisht lidhur me raportet ne koalicionin qeveritar duke thënë se ato janë të ndërlikuara, por se po bëhet përpjekje për kapërcimin e sfidave përmes kontakteve në nivele të ndryshme partiake.

Ai tha se bëhen përpjekje për realizimin e reformave dhe se në këtë aspekt qeveria dhe organet e administratës shtetërore punojnë me kapacitet të plotë ndërkohë që sfidat dhe këndvështrimet e ndryshme të partive politike, sa do që të duken të pakapërcyeshme, ato nuk kanë potencial , sipas tij, të nxisin destabilizim të marrëdhënieve ndëretnike dhe tensione në shoqëri.

Autoritetet maqedonase dëshirojnë që Brukseli të mos shikojë vetëm mosmarrëveshjet e këtij vendi me Greqinë lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë, por të vlerësohen marrëdhëniet e mira të Shkupit me vendet fqinje. Kryeministri maqedonas thotë se vendi i tij mbetet i përkushtuar për zgjidhjen e çështjes së emrit përmes bisedimeve me ndihmën e KB.
Zoti Fyle u shpreh me tone p ozitive për miratimin nga ana e qeverisë të projekt-ligjit për dekriminalizimin e shpifjes, ndërsa vuri në dukje nevojën për reforma të mëtutjeshme në fushën e gjyqësorit.Ai do të takojë dhe drejtuesit e partive kryesore më vonë pasdite.
Maqedonia pret që raporti i progresit që do të dalë muajin e ardhshëm në Bruksel të jetë pozitiv dhe të përmbajë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe sidomos të ketë atributin “maqedonas” që i ka munguar raporteve të mëparshëm, për shkak të problemit me Greqinë fqinje.
Maqedonia është vendi i parë në rajon që ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim qysh në dhjetor të 2005-s por prej atëherë nuk janë bërë hapa pozitiv drejt integrimit.
XS
SM
MD
LG