Lidhje

Zaev, megjithatë shkon në Bruksel


Udhëheqësi i opozitës maqedonase Zoran Zaev pritet të marrë pjesë në bisedimet e 10 qershorit në Bruksel që synojnë zgjidhjen e krizës aktuale në Maqedoni

Shefi i opozitës maqedonase Zoran Zaev, la të kuptohet se megjithatë, do të shkojë në Bruksel javën e ardhshme për të marrë pjesë në bisedimet për zgjidhjen e krizës.

Të premten gjatë ditës, ai tha se nuk do të marrë pjesë në bisedime duke vënë në pikëpyetje “paanshmërinë” e Bashkimit Evropian, që po ndërmjetëson bisedimet për përmbylljen e një marrëveshjeje për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për t’i dhënë fund situatës së krijuar me aferën e përgjimeve për të cilën opozita akuzon qeverinë.

Zoti Zaev reagoi të premten duke thënë se përshkrimi që Komisionari Evropian për politika të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit Johannes Hahn u bëri zgjedhjeve të kaluara përmban elementë të njëanshëm, prandaj ai nuk do të marrë pjesë në negociatat e planifikuara për më 10 qershor në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Opozita në Maqedoni thotë se zgjedhjet e kaluara u manipuluan. Ajo e ka bojkotuar parlamentin që nga ajo kohë.

Për shkak të pohimeve të opozitës, një nga çështjet kryesore që do të diskutohet në Bruksel është se si do të organizohen zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në muajin prill të vitit 2016.

Pas kritikave të Zoran Zaevit, Komisioni Evropian lëshoi një komunikatë në të cilën thuhet se zoti Hahn ka biseduar në telefon me zotin Zaev dhe “kanë sqaruar çështjen”.

Pas kësaj bisede Social demokratët e Zaevit lanë të kuptohet se bashkëbisedimi ka bërë që opozita të jetë në favor të pjesëmarrjes në bisedime.

XS
SM
MD
LG