Lidhje

BE rekomandon fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë

  • Isak Ramadani

Komisioni Evropian thekson se vendi vazhdon të përmbushë kriteret politike dhe zotimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit.

Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë është pozitiv. Raporti rekomandon fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian; zgjidhjen e çështjes së emrit pa vonesë; përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike vend dhe vazhdimin e reformave në më shumë fusha. Raporti thekson, mes tjerash, nevojën e forcimit të dialogut politik në vend. Maqedonia e ka marrë statusin vend kandidat për anëtarësim qysh në dhjetor të vitit 2005, por që prej atëherë nuk janë shënuar hapa të mëdhenj drejt integrimit.
Komisioni Evropian në raportin mbi Maqedoninë thekson se vendi vazhdon të përmbushë kriteret politike dhe zotimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Raporti i progresit rekomandon edhe kësaj radhe që Maqedonia duhet të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, vihet në dukje shqetësimi nga tensionet midis komuniteteve etnike që pasuan incidentet e dhunshme në pjesën e parë të vitit në vijim. Komisioni Evropian inkurajon autoritetet e Shkupit që të forcojnë marrëdhëniet dhe pajtimin ndëretnik, përfshirë statusin e viktimave nga konflikti i vitit 2001. Në raport vërehet poashtu një përmirësim për sa i përket përdorimit të gjerë të ligjit të gjuhëve.


Raporti për herë të parë pas dy vjetësh përdor termin ‘maqedonas’ dhe ‘maqedonase’ për gjuhën dhe popullin e këtij vendi, që është mirëpritur nga faktorët politikë dhe shoqëror maqedonas. Në lidhje me administratën publike, raporti nënvizon një përmirësim të vogël, ndërsa në lidhje me përfaqësimin e drejtë Komisioni vë në dukje nevojën për përmirësimin e bashkërenditjes së procesit të rekrutimit nga Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle tha, mes tjerash, se forcimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë thelbësore për repiblikën ish-Jugosllave të Maqedonisë, ndërkohë që një zgjidhje e çështjes së emrit duhet gjetur pa vonesë, tha ai.
Komisioni sugjeron realizimin e reformave në sistemin gjyqësor, ndërkohë që thekson se korrupsioni paraqet problem serioz në furnizimet publike.
Edhe ambasadori Aiwo Oraw, përfaqësues i BE-së në Shkup ritheksoi se gjithçka vëzhgohet këtu që është me rëndësi për Bashkimin Evropian, përfshirë dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Ambasadori ua ka dorëzuar raportin e progresit zyrtararëve më të lartë shtetërorë maqedonas, ndërsa këta të fundit pritet të bëjne komente. Presidenti Gjorgje Ivanov duke vlerësuar rikthimin e termit maqedonas në raport ka thënë se identiteti i kombit nuk mund të negociohet dhe nuk mund të bëhet kompromis me askend për këtë.
XS
SM
MD
LG