Lidhje

Hahn: Ngjarjet në Kumanovë të mos shfrytëzohen për tensione etnike


Komisinari i BE-së për fqinjësi dhe politika të zgjerimit Johannes Hahn tha se ngjarjet në Kumanovë nuk duhet të lënë nën hije situatën e brendshme politike

Komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe politika të zgjerimit Johannes Hahn tha të hënën në Bruksel se palët në Maqedoni duhet të shmangin çdo përpjekje për të shfrytëzuar ngjarjet në Kumanovë në funksion të nxitjes së tensioneve etnike.

Ai tha se për situatën në Maqedoni ka disa mesazhe: “e para, ne të gjithë jemi të brengosur për atë çfarë ka ndodhur në fundjavë. E dyta, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të bashkëpunojnë në qartësimin e asaj çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës për të dhe të veprojnë të bashkuar. Kjo ngjarje nuk mundet dhe nuk duhet të lërë nën hije situatën e brendshme shumë serioze politike në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë për të cilën ne i kemi bërë thirrje qeverisë, por edhe opozitës që të fillojnë ta zgjidhin dhe të bashkëpunojnë. Pra, kjo nuk duhet të shihet si një mundësi për të lënë zgjidhjen e problemeve fondamentale me të cilat vendi po përballet. Qartazi, kjo ngjarje nuk duhet të përdoret për të ndërlikuar më tej situatën duke nxitur tensione etnike. Kjo duhet të shmanget dhe u bëjë thirrje të gjithëve, përgjegjësve në vend por edhe në fqinjësi të veprojnë të bashkuar dhe në mënyrë transparente e të kthjelltë”, tha komisionari Hahn.

Të paktën 22 veta humbën jetën në një përleshje të armatosur në Kumanovë, një qytet rreth 40 kilometra në veri të Shkupit. Sipas autoriteteve maqedonase tetë pjesëtarë të policisë dhe 14 pjesëtarë të një grupi të armatosur u vranë gjatë përleshjeve të fundjavës.

Përleshjet pasuan një periudhë të thellimit të krizës politike në vend, ndërsa mbeten paqartësi të mëdha se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në Kumanovë.

Autoritetet ndërkombëtare, përfshirë edhe NATO-n kanë bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe sqarimin e ngjarjeve të fundjavës.

XS
SM
MD
LG