Lidhje

Vazhdon gjendja e vështirë në kufirin Maqedoni-Greqi

  • Isak Ramadani

Mijëra refugjatë dhe imigrantë janë ngujuar në fshatin Idomeni në veri të Greqisë, në kufi me Maqedoninë. Vlerësohet se janë rreth trembëdhjetë mijë njerëz nga Lindja e Mesme të cilët presin të hyjnë në Maqedoni, për ta avzhduar rrugën drejt vendeve të Evropës perëndimore. Por autoritetet maqedonase lejojnë vetëm nga disa dhjetra të hyjnë brenda territorit të saj. Në këtë zonë është shtuar prania e forcave policore dhe ushtarake maqedonase.

Gjendja e refugjatëve dhe imigrantëve në Idomeni të Greqisë në kufi me Maqedoninë duket se po vëzhtirësohet, ndërsa numri i tyre mund të jetë mbi dhjetë mijë. Ata qëndrojnë në çadra, në pritje të hapjes së kufirit nga autoritetet maqedonase. Por Shkupi lejon të hyjnë vetëm grupe të vogla; Në çdo 20 minuta apo gjysmë ore nga Greqia në Maqedoni hyn nga një familje apo grup prej 5, 6 vetësh. Ata qëndrojnë për ditë të tëra në këto tenda në anën greke.

Herë pas here kufirin e kalojnë trenat, por ato nuk bartin udhëtarë. Forca të shtuara policore janë përqendruar në këtë zonë kufitare. Ushtria e Maqedonisë ka ngritur një gardh të dyfishtë prej tlash me gjemba për të penguar kalimet ilegale të refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Kjo familje e vogël u lejua të hyjë në Maqedoni. Vetëm për regjistrim në këtë pikë të improvizuar kufitare u desh të presin gjysmë ore.

Halid Elhamdu nga Siria shpreson të arrijë dhe të pranohet në Gjermani. Ai flet për vështirësitë e rrugës që ka kaluar nga vendlindja nëpër Turqi e Greqi, së bashku me gruan dhe djalin.

Nura Deliar është nga Diala i Irakut. Thotë se për shkak të rrezikut në vendlindje po kërkojnë një jetë të re dhe me familjen synojnë të arrijnë në Gjermani. Ajo ka një muaj që është larguar nga Iraku.

Jashta kampit në Gjevgjeli qëndrojnë dhjetra vetë, gra e fëmijë. Ata nuk kanë dokumente. Ka prej tyre që janë kthyer nga autoritetet sllovene, kroate e serbe; ndërsa nuk pranohen brenda kampit; nuk i pranon më as Greqia.

Në kampin për pranimin e refugjatëve në Gjevgjeli ka vetëm disa dhjetra refugjatë, ndërsa edhe policë serbë në kuadër të misionit FRONTEX bëjnë kontrollin dhe regjistrimin.

Shpesh në kamp vijnë delegacione për t’i vizituar dhe për t’u njohur me gjendjen dhe kushtet. Këta janë zyrtarë të USAID. Përfaqësuesi i UNHCR-së u tregon atyre se për momentin në kamp ndodhen 15 familje siriane.

Ndërkohë, refugjatët në anën greke shpesh ndezin zjarre para çadrave të tyre për t’u ngrohur natën dhe në orët e hershme të mëngjesit. Shumë fëmijë ka në mesin e tyre; madje jo rrallë edhe fëmijë të cilët udhëtojnë vetëm, pa prindër.

XS
SM
MD
LG