Lidhje

Maqedoni: Asnjë përparim në zbatimin e marrëveshjes së dy qershorit

  • Isak Ramadani

Komisionari evropian Johannes Hahn tha se udhëheqësit politik në Maqedoni duhet ta kuptojnë seriozitetin e gjendjes në të cilën ndodhet vendi.

Bisedimet ndërrmjet katër drejtuesve të partive më të mëdha që filluan dje pasdite, dhe vazhduan deri në orët e hershme të mengjësit të sotëm, lidhur me zbatimin e përcaktimeve që dalin nga marrëveshja e 2 qershorit – kanë dështuar. Komisioneri evropian Johannes Hahn, i cili ndërmjetësoi bisedimet, nuk arriti t’i bindë drejtuesit politikë të Maqedonisë që të mirren vesh për miratimin e çështjeve të mbetura që do të zgjidhnin më shpejtë krizën politike në vend.

Komisioneri evropian për politikat e fqinjësisë dhe zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn u largua i dëshpëruar nga Shkupi, pas një takimi që zgjati dymbëdhjetë orë, me drejtuesit e partive më të mëdha. Në orët e para të mëngjesit të së martes, ai u tha gazetarëve se nuk ishte arritur ndonjë përparim që do të mundësonte zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit, të njohur në opinionin publik si “Marrëveshja e Përzhinës”, e cila ka për synim t’i japë fund krizës politike në Maqedoni.


Megjithatë, komisioneri evropian vazhdon të ketë shpresa. Ai tha se drejtuesit politik duhet ta kuptojnë seriozitetin e gjendjes në të cilën ndodhet vendi. “Nuk mundet Evropa të marrë vendime për drejtuesit e Maqedonisë”, u shpreh z. Hahn, duke lënë të kuptohet se mungesa e suksesit në këto bisedime do të mund të pasqyrohej në integrimet evropiane të vendit, me që pas rreth dy javësh pritet raporti mbi përparimin e Maqedonisë, ndërkohë që Shkupi pret me padurim rekomandimin për bisedime me Bashkimin Evropian.
Edhe ambasadori amerikan në Shkup Jess Baly është shprehur i shqetësuar për mungesën e një rezultati pozitiv nga bisedimet e mbrëmshme. Ai ka shkruar në twitter se “Marrëveshja e Përzhinës paraqet një udhërrëfyes përmes të cilit sigurohet përgjegjësia, përmirësohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mund t’i jipet fund krizës politike në Maqedoni. Por, duhet vullnet për zgjidhjen e çështjeve të mbetura”, shkruan ambasadori Baily.
Drejturesi i opozitës Zoran Zaev pyeti se si mund të jetë më me rëndësi për dikë që dy të tretat e kohës në bisedime t’i shpenzojë për çështjen e atyre që në opinionin publik njihen si “bomba” e që janë përgjimet e bisedave telefonike, se sa e ardhmja evropiane për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
Partitë e pushtetit VMRO dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kërkojnë që të ndalohet me ligj publikimi i këtyre bisedave
Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se në takimin me komisionerin Johannes Hahn është diskutuar edhe çështja e autorizimeve që do të kenë zëvendës-ministrat e rinjë në qeverinë, nga e cila duhet të largohet z. Gruevski 100 ditë para zgjedhjeve të 23 prillit të vitit të ardhshëm.
Kryetarët e partive shqiptare BDI dhe PDSH, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi nuk qëndruan deri në fund të takimit.
Zoti Ahmeti, tha se për mosmarrëveshjet do të vazhdohet të diskutohet në grupet e punës së katër partive. Ai i quajti dallime të vogla ato që ende nuk po gjejnë zgjidhje, për të cilat shpreson se do të mbyllen në takimet e grupeve të punës.
“Sigurisht që ka dallime në lidhje me kompetencat, ligjin për Qeverinë dhe ministrat.”, tha zoti Ahmeti.
Ndër çështjet të cilat po zvarriten, e që duhej miratuar tashmë, janë reformat e parashikuara në mjetet e informimit, në veçanti mënyra e funksionimit të radiotelevizionit publik; dhe nuk është formuar as komisioni anketues i Parlamentit për trajtimin e skandalit të përgjimeve të bisedave telefonike. Edhe me ekipin e Prokurores së posaçme ka probleme. Të hënën nuk u paraqitën shtatë prokurorët e ekipit të saj para Këshillit të Prokurorëve për të bërë betimin solemn, për shkak se ky Këshill nuk i dha dritën jeshile edhe shtatë kandidatëve të tjerë të listës së prokurores së posaçmë Katica Janeva. Dhe më e rëndëishmja, sot deri në mesnatë sipas afateve, duhet të zgjidhet ministri i ri i Punëve të Brendshme i cili do të jetë nga radhët e Lidhjes Social Demokrate maqedonase.

XS
SM
MD
LG