Lidhje

Maqedoni, policia spraps emigrantët


Policia maqedonase sprapsi sot turmat e emigrantëve dhe refugjatëve që u përpoqën të hynin nga Greqia, të cilët gjatë natës kishin mbetur të bllokuar në pjesën neutrale të kufirit. Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës dje, Maqedonia ka mbyllur një pjesë të kufirit të saj që përdoret nga emigrantët dhe refugjatët nga Lindja e Mesme.

Një gazetar i agjencisë Reuters tha se policia përdori gaz lotsjellës kundër emigrantëve duke plagosur të paktën katër prej tyre, të cilët morën trajtim mjekësor në anën greke të kufirit.

"Ata na qëlluan. Ne ishim të parët në turmë. Policia e Maqedonisë qëlloi mbi njerëzit," thotë ky emigrant.

Disa mijëra njerëz nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, shumë prej tyre refugjatë sirianë, kaluan natën në një pjesë neutrale të kufirit pasi Maqedonia dje shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe bllokoi kufirin e saj jugor.

Kohët e fundit, në Maqedoni kanë hyrë 1.500-2.000 njerëz në ditë, nga rreth 200 në ditë që hynin në muajin maj, duke çuar në krijimin e skenave dëshpëruese të turmave që përpiqeshin të hynin në trena në një stacion të afërt hekurudhor.

Turma e bllokuar në zonën neutrale të kufirit mund të rritet gjatë ditës me mbërritjen e refugjatëve të rinj nga Greqia, duke përfshirë 2,400 refugjatë sirianë të cilët dje kanë arritur me anije në brigjet greke.

Agjencia e OKB-së për refugjatët është në terren, dhe i ka bërë thirrje qeverisë greke që të akordojë më shumë hapësirë për strehim për emigrantët dhe refugjatët në anën e saj të kufirit.

Petros Mastakas, Zyrtar i UNHCR-së:

“U bëjmë thirrje autoriteteve greke të marrin të gjitha masat për trajtimin e nevojave humanitare të personave të mbledhur në vijën kufitare të Greqisë duke u dhënë atyre informacione mbi mundësitë e udhëtimit legal në vende të tjera të Bashkimit Evropian dhe t’i inkurajojnë ata të aplikojnë për azil dhe të sistemohen në qendrat e azilit në Greqi”, tha zyrtari i UNHCR-së, Petros Mastakas.

Zoti Mastakas tha se UNHCR nuk ka të dhëna mbi numrin e njerëzve të grumbulluar në kufi, por sipas shifrave të autoriteteve greke ky numër është rreth 3 deri 4 mijë.

Rreth 50,000 emigrantë kanë arritur në brigjet greke nga Turqia vetëm në muajin korrik, në përpjekjet për të arritur në Evropën Perëndimore përmes Maqedonisë, Serbisë dhe Hungarisë, e cila është pjesë e zonës Shengen.

Maqedonia thotë se nuk mund ta përballojë fluksin e madh të emigrantëve. Situata vështirësohet edhe nga marrëdhëniet e tensionuara të Maqedonisë me Greqinë, për çështjen e emrit.

XS
SM
MD
LG