Lidhje

Maqedoni: Sulmohet një stacion policie

  • Isak Ramadani

Sipas Ministrisë së brendshme, dyzet persona me uniforma të UÇK-së kanë çarmatosur katër policë në një fshat në afërsi të kufirit me Kosovën.

Autoritetet maqedonase njoftojnë për një sulm, që sipas tyre, ka ndodhur herët në mëngjesin e së martës ndaj një stacioni policie në fshatin Goshincë në veri të Kumanovës, pranë kufirit me Kosovën.

Sipas policisë në Shkup, rreth dyzet persona të armatosur, me uniforma ushtarake dhe emblema të UÇK-së, kanë mbajtur peng katër punonjës të policisë së Maqedonisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski u tha mjeteve të informimit se sulmuesit që komunikonin mes tyre në shqip, i kishin lidhur me pranga policët maqedonas dhe kishin qëlluar me grushta njërin prej tyre.

Sipas zëdhënësit, drejtuesi i grupit u kishte thënë policëve se “as Ali Ahmeti e as Nikolla Gruevski nuk do t’i shpëtonin dot" dhe se "ata dëshironin shtetin e tyre e jo marrëveshjen e Ohrit!” Sulmuesit i kishin kërcënuar policët se do t’i likuidonin, tha zëdhënësi Kotevski.

Autoritetet maqedonase thonë se në bazë të informacioneve që kanë, bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë nga Kosova dhe se po punohet për ndriçimin e incidentit, të cilin e quajtën “akt terrorist”.

Në fshatin Goshincë kanë mbetur pak banorë dhe disa prej tyre u kanë thënë me telefon mjeteve të informimit se nuk kishin dëgjuar të shtëna.

Forca policore maqedonase me automjete të blinduara dhe një helikopter janë parë sot duke iu drejtuar fshatit malor. Mjeteve të informimit u është ndaluar të shkojnë në këtë fshat.

Ndërkohë, kanë reaguar disa nga partitë politike. Bashkimi Demokratik për Integrim tha në një komunikatë se incidenti dëmton interesat e përgjithshme të shqiptarëve dhe u bëri thirrje shqiptarëve që të mos bien pre e atyre që komunikata i quan provokime.

Lidhja Social Demokrate e opozitës e shikon këtë zhvillim si pjesë e një skenari të qeverisë së kryeministrit Gruevski, me qëllim shmangien nga përgjegjësia të zyrtarëve të lartë qeveritarë të përfshirë, sipas opozitës, në manipulime, korrupsion dhe parregullsi të shumta.

Vëzhgues të tjerë, si shqiptarë ashtu edhe maqedonas shprehin dyshim dhe mosbesim, përmes rrjeteve sociale, se në këtë kohë krize politike dhe të një skandali të madh përgjimesh, pushteti i kryeministrit Nikolla Gruevski përpiqet të heqë vëmendjen e opinionit nga kriza aktuale që ka përfshirë Maqedoninë.

XS
SM
MD
LG