Lidhje

Maqedoni: Presidenti Ivanov refuzon t'i japë mandatin Zoran Zoevit


Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, tha se nuk do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë, kryetarit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev.

Ai e kishte ftuar të mërkurën zotin Zaev në presidencë për t’i thënë se edhe pse ka siguruar nënshkrimet e nevojshme të ligjvënësve, nuk do të mund t’ia japë mandatin për shkak “të një platforme të huaj që rrezikon, sipas presidentit maqedonas, karakterin unitar dhe të ardhmen e Maqedonisë”.

Presidenti Ivanonv tha se ka biseduar me ekspertë ligjorë dhe ka arritur në përfundim se platforma si një dokument pas-zgjedhor, i hartuar në një shtet të huaj dhe me ndërmjetësim të një kryeministri të huaj, mbi të cilën negocion Lidhja Social Demokrate, është jokushtetuese dhe jashtë kornizave të Marrëveshjes së Ohrit.

Ajo, sipas presidentit Ivanov, e rrezikon sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë dhe e sjell atë në një pozitë inferiore ndaj një shteti tjetër.

Platforma kërcënon Maqedoninë, tha ai, duke u shprehur i vendosur se nuk do ta japë mandatin deri sa të jetë president asnjë individi apo partie që rrezikon të ardhmen e vendit.

Partitë shqiptare të Maqedonisë kishin zhvilluar konsultime në Tiranë me kryeministrin Edi Rama dhe më pas dolën me një qëndrim të përbashkët për avancimin e pozitës së shqiptarëve dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, si një nga kushtet kryesore për pjesëmarrje në koalicionin e ri qeveritar të Maqedonisë.

Pas refuzimit të presidentit maqedonas, në bazë të kushtetutës, mund të mblidhet vetë shumica parlamentare, të caktojë mandatarin për formimin e qeverisë dhe ta miratojë kabinetin e tij qeveritar; Ndërkohë një variant tjetër është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG