Lidhje

Maqedonia shpreh ngushëllimet për sulmin në Nisë


Drejtues shtetërorë dhe politikë të Maqedonisë u kanë shprehur ngushëllime autoriteteve më të larta të Francës dhe popullit të këtij vendi pas aktit terrorist në qytetin e Nisës.
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov në një telegram ngushëllimi drejtuar presidentit francez, Francois Hollande, shkruan se “sulmi terrorist paraqet një akt të tmerrshëm dhe anticivilizues”, ndërsa u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të pafajshme.
Edhe kryeministri maqedonas Emil Dimitriev thekson se “sulmi terrorist në Ditën e Bastijes është përpjekje për përdhosjen e frymës së Republikës Franceze dhe të vlerave mbi të cilat mbështetet ajo”.
Ndërkohë, Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni përmes një telegrami dërguar ambasadores franceze në Shkup, e quan një akt makabër që ka prekur thellë si popullin shqiptar po ashtu edhe besimtarët myslimanë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Bashkësia Fetare (në Maqedoni) thekson se “ky akt terrorist shkaktoi një tragjedi shokuese për mbarë njerëzimin e civilizuar.”
Ndërkaq, partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate e dënojnë aktin terrorist në Francë të cilin e quajnë “qyqar ndaj qytetarëve paqedashës”.
Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme bën të ditur se nuk ka shtetas të Maqedonisë në radhët e viktimave në Nisë.
XS
SM
MD
LG