Lidhje

Maqedoni: Incidente brenda dhe jashtë parlamentit


i
i
Miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm në Maqedoni i kanë paraprirë incidente në Parlament dhe protesta të dhunshme jashtë Parlamentit. Deputetët e opozitës maqedonase u nxorrën forcërisht nga seanca e Parlamentit pasi tentuan ta bllokojnë foltoren.

Ambasada amerikanë në Shkup thotë se i ka ndjekur me shqetësim përplasjet politike brenda dhe jashta Parlamentit, ndërsa u bën thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë veprimet agresive. Ambasada shkruan në një komunikatë se shprehja paqësore e mendimeve të ndryshme paraqet bazë për një shtet të fortë dhe demokratik, ndërkohë që përdorimi i dhunës nga cilado palë qoftë minon këtë sistem dhe dëmton mundësinë për të qeverisur me përgjegjësi. SHBA u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve politikë dhe përkrahësve të tyre që t’u japin fund pa vonesë këtyre konfrontimeve.



“Kërkojmë nga ata që të sillen sipas ligjit dhe kushtetutës, në pajtim me procedurat parlamentare dhe në interesin e qytetarëve nga të cilët ata janë zgjedhur për t’i përfaqësuar”, thuhet në komunikatën e Ambasadës amerikane në Shkup.
Parlamenti i Maqedonisë e miratoi buxhetin për vitin 2013 në një atmosferë mjaft të tendosur si brenda në sallën ku mbahej seanca por edhe më e ashpër jashta ku mijëra përkrahës të Lidhjes Social Demokrate të opozitës maqedonase protestonin kundër miratimit të buxhetit ashtu siç e kishte hartuar qeveria.
Ndërkohë para se të miratohej buxheti, deputetë të Lidhjes Social Demokrate (LSD) u desh të nxirreshin jashtë sallës forcërisht nga shërbimet e sigurimit të Parlalamentit. Dy deputete të opozitës janë lënduar gjatë përpjekjes së sigurimit për t’i dëbuar jashtë.
Gjashtëdhjetë e pesë deputetë të shumicës votuan për miratimin ndërsa katër vota të opozitës shqiptare ishin kundër. Partitë shqiptare të opozitës konsiderojnë se zonat e banuara me shumicë shqiptare janë të diskriminuara dhe buxheti nuk ndahet në mënyrë proporcionale.
Protestruesit kanë ardhur me autobusë të organizuar nga Ohri, nga Strumica në juglindje të Maqedonisë dhe nga qytetet të tjera, ndërsa policia ka penguar një numër të madh të tyre që të depërtojnë drejt Shkupit, që ka bërë të krijoheshin si rrjedhojë kolona disa kilometra të gjata në hyrje të Shkupit.

Njoftohet për arrestimin e disa demonstruesve përkrahës të opozitës; ndërkohë që sipas organeve të rendit, policia ka arritur të pengojë një përleshje më të madhe ndërmjet protestuesve, përkrahës të opozitës nga njëra anë dhe të VMRO-DPMNE-së në pushtet, nga ana tjetër.

Protestuesit në krye me drejtuesin e LSD-së Branko Cërvenkovski kanë thyer kordonin policor por nuk kanë hyrë brenda Parlamentit. Zoti Cërvenkovski e ka quajtur këtë një shtet kriminelësh dhe fashistësh me një qeveri e cila nuk përfaqëson Maqedoninë. “Një diktator kundër një populli”, është shprehur drejtuesi i opozitës duke shtuar se edhe Millosheviqi do të rrotullohej në varr nga kjo që po ndodh sot në Shkup.
Në këtë situatë edhe pjesëtarët e mjeteve të informimit kanë qenë të keqtrajtuar, të përjashtuar nga sigurimi prej lozhës së Parlamentit dhe të qëlluar me vezë nga protestues.
XS
SM
MD
LG