Lidhje

Vazhdon kriza politike në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Në Maqedoni, duket se po thellohet kriza politike si rrjedhojë e skandalit të përgjimeve, ndërkohë që struktura dhe mjete të informimit të afërta me pushtetin po përpiqen të mbrojnë politikat e qeverisë. Nga ana tjetër, analistët thonë se pushteti aktual po e drejton vendin nëpërmjet nëpërkëmbjes së institucioneve shtetërore dhe se këtë tashmë e ka kuptuar populli.

Opozita maqedonase nuk heq dorë nga publikimi i bisedave të përgjuara telefonike, për të cilat ende nuk dihet se kush i ka regjistruar ato. Megjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës, në këtë fazë nuk duket të ketë vullnet tek asnjëra prej palëve për afrimin e qëndrimeve.

Skandali i përgjimeve, duket se nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë, ndërsa po e thellon krizën politike në vend, por nga ana tjetër, njohësit e kësaj çështjeje thonë se zgjidhja mund të vijë brenda disa javësh.

Analisti Mersel Bilalli vlerëson se publikimi i bisedave të përgjuara telefonike po bën demistifikimin e një figure që ka qenë e idealizuar siç është kryeministri Nikolla Gruevski. Sipas tij, nga retorika dhe fjalori vullgar që dëgjohet nga regjistrimet, vihet në dukje se me Maqedoninë drejtojnë struktura kriminale e të papërgjegjshme që nuk përfillin as normat elementare ligjore dhe kushtetuese.

“Popullata po ndeshet me një realitet të cilin nuk ka dashur ta besojë vite me radhë. Në mënyrë objektive, Maqedonia në çdo segment shënon stagnim serioz, si ekonomik, social, në shëndetësi, arsim e në kulturë, deri tek kriminaliteti; shto këtu kontrollin e medias dhe të gjitha institucioneve. Kështu që, mund të themi se nuk kemi institucione, madje s’kemi parlament se po të kishim, parlamenti realisht do ta shkarkonte qeverinë që nga publikimi i përgjimeve të para. Ka dokumentacione të mjaftueshme që qeveria duhet të shkarkohet", thotë z. Bilalli.

Analisti thotë se rasti i Maqedonisë është i pashembullt sepse janë disa individë në qeveri që duket sikur e kanë privatizuar shtetin, ndërsa ai e sheh me sy kritik edhe Bashkimin Evropian për shkak të vlerësimeve pozitive që i ka dhënë Maqedonisë në vitet e fundit.

Zoti Bilalli thotë se popullata në Maqedoni po vetëdijësohet duke parë mënyrën se si po drejtohet vendi, përmes kriminalitetit të organizuar, dhe nëpërkëmbjes së institucioneve shtetërore.

“Unë mendoj se faza e dytë do të jetë një periudhë e protestave. Pasi të krijohet bindja, pra duhet të ndryshojë “kodi mendor” që është ndryshuar dukshëm krahasuar me dy muaj më parë; do të jenë protestat pra, ato që do të duhet ta rrëzojnë këtë regjim”, shprehet ai.

Por, zoti Bilalli mendon se struktura udhëheqëse aktuale mund të përdorë edhe metoda të dhunshme për të mos dorëzuar qetësisht pushtetin, e nga ana tjetër nuk e përjashton mundësinë edhe të përpjekjeve për marrjen me forcë të institucioneve nga struktura opozitare.

“Pasi qytetarët janë bindur se institucionet janë të rrëmbyera nga një grup personash të cilët tregohen si pushtetarë apo udhëheqës, kështu që mendoj se ka mundësi për përplasje, por pa pasoja të mëdha sepse besoj që relacioni midis përkrahësve të qeverisë dhe atyre kundër është shumë i madh; pra, çdo ditë po rritet numri i atyre që janë kundër kësaj qeverie, kështu që mendoj se duhet të de-misionohet qeveria", thotë analisti Bilalli.

Ai mendon se në varësi të zhvillimeve politike dhe të gjendjes në Maqedoni do të ketë ndikim edhe ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndërsa vlerëson se Maqedonia mund ta rrezikojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kjo strukturë shtetërore në Maqedoni i ka minuar proceset e integrimit në familjen euroatlantike, thotë ai. Çështja e emrit të Maqedonisë, sipas zotit Bilalli, u tregua si një maskë apo fasadë e pushtetit për të ushqyer popullin me nacionalizëm:

“Dhe për të sunduar sa më gjatë, për t’i shkëputur proceset dhe për t’i bllokuar ato, me ç’rast kjo edhe ndodhi. Maqedonia, po të mos kishte regjimin e Gruevskit, në vitin 2011 do të ishte anëtare e BE-së, kurse në vitin 2008 anëtare e NATO-s. Në fakt, procesi gjithnjë ka qenë i minuar”, thotë ai.

Analisti Bilalli vlerëson se dy partitë kryesore shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare bartin gjithashtu përgjegjësi për gjendjen e krijuar dhe për vetë proceset integruese:

“Përfundimisht mendoj se subjektet politike shqiptare duhet të vlerësojnë nëse do të duhej edhe më tej ta mbajnë gjallë këtë regjim ose jo”, thekson zoti Bilalli.

Ndërkohë, analistë të tjerë mendojnë se nismat e VMRO-së në pushtet për shpalljen tradhëtar të drejtuesit opozitar Zoran Zaev nuk janë gjë tjetër përveç se një përpjekje për shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit publik nga kriza reale, apo se kjo është një strategji e një fushate parazgjedhore ku duket se po hyn partia më e madhe në pushtet.

XS
SM
MD
LG