Lidhje

Shkup, pa marrëveshje për kodin zgjedhor


Partitë kryesore politike në Maqedoni dështuan të pajtohen për ndryshimet e kodit zgjedhor

Pas bisedimesh të gjata nga dita e martë deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, partitë kryesore në Maqedoni nuk arritën të gjejnë një zgjidhje lidhur me ndryshimet e kodit zgjedhor. Kjo do të thotë se ato e kanë shkelur afatin e paraparë me marrëveshjen politike të 2 qershorit të arritur me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund krizës politike në Maqedoni.

Në vend të debatit mbi kodin zgjedhor, grupet e punës së VMRO-DPMNE-së, Lidhjes Social Demokrate, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Partisë Demokratike Shqiptare, janë përqendruar tek projekt ligji më i ri i VMRO-së dhe BDI-së për ndalimin e publikimit të atyre që në opinionin publik të Maqedonisë njihen si “bomba” e që janë përgjime të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë, të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve, etj.

Mësohet se kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski tashmë e ka futur projektligjin në procedurë dhe përkundër bindjeve se propozuesit kanë bërë një veprim të gabuar, do të jetë e vështirë juridikisht të tërhiqet nga procedura për t’u përpunuar, siç kërkojnë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, të përfshirë në bisedime.

Ndërkohë, sa i përket reformave zgjedhore, çështja duket se ka ngecur tek mënyra e votimit të diasporës dhe përfaqësimi i saj ose jo me ligjvënës nga tre kontinentet: Evropa, Amerika dhe Australia. Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare kërkojnë që të mos ketë deputetë nga diaspora, për shkak të numrit të vogël të votuesve që dalin në zgjedhje në tre kontinentet dhe për shkak të shpenzimeve të mëdha për organizimin e tyre atje. Aktualisht, janë tre deputetë nga diaspora, të gjithë në radhët e VMRO-DPMNE-së.

Ndërkaq, një tjetër çështje në këtë kuadër, është regjistri zgjedhor dhe sfidat disavjeçare për pastrimin e tij. Maqedonia me rreth dy milionë banorë ka 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar. Kjo ka ngritur debate jo vetëm brenda vendit por edhe tek organizatat ndërkombëtare që merren me problematikën e zgjedhjeve. Autoritetet maqedonase nuk kanë bërë census që nga viti 2002.

XS
SM
MD
LG