Lidhje

Maqedoni, bisedime për reformën zgjedhore

  • Isak Ramadani

Grupet e punës së katër partive kryesore në Maqedoni po takohen për të gjetur një zgjidhje mbi reformat zgjedhore, që paraqesin kusht, sipas marrëveshjes politike të 2 qershorit, të arritur me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Grupeve u janë bashkuar edhe Nikolla Gruevski, Zoran Zaev dhe Menduh Thaçi, por jo dhe Ali Ahmeti për shkak të obligimeve private.


Marrëveshja mbi ndryshimet e kodit zgjedhor duhet të arrihet deri në mesnatë. Ndërmjetësi në bisedime, eksperti evropian Peter Van Houte është shprehur se pret një kompromis lidhur me kodin zgjedhor.
Çështja duket se ka ngecur tek mënyra e votimit të diasporës dhe përfaqësimi i saj ose jo me ligjvënës nga tre kontinentet: Evropa, Amerika dhe Australia. VMRO-DPMNE e kryeministri Gruevski është e vetmja e cila ngulë këmbë që numri i deputetëve nga diaspora në Parlamentin e Maqedonisë të rritet, ndërsa tre partitë tjera, Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare kërkojnë që të mos ketë deputetë nga diaspora, për shkak të numrit të vogël të votuesve që dalin në zgjedhje në tre kontinentet dhe për shkak të shpenzimeve të mëdha që bëhen për organizimin e tyre atje. Aktualisht, janë tre deputetë nga diaspora, të gjithë në radhët e VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, partitë ende nuk kanë ofruar ndonjë opsion mbi mënyrën e pastrimit të regjistrit zjedhor, një çështje e debatueshme kjo jo vetëm brenda vendit, por edhe nga ana e organizatave ndërkombëtare. Maqedonia me rreth dy milionë banorë ka 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar. Autoritetet nuk kanë bërë census që nga viti 2002.

Ndërkohë, dy partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë paraqitur një projekt ligj në Parlamëent me anë të të cilit kërkojnë ndalimin e publikimit të atyre që në opinionin publik të vendit njihen si “bomba” të opozitës, e që janë biseda të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë, partiakë, etj.

XS
SM
MD
LG