Lidhje

Maqedoni, ende pa marrëveshje për KSZ-në

  • Isak Ramadani

Partitë kryesore në Maqedoni nuk po mund të arrijnë marrëveshje për formimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, një institucion ky që do të ketë kompetenca më të mëdha dhe do të zgjidhë edhe mosmarrëveshjet midis ministrave dhe zëvendës-ministrave të partive rivale maqedonase në qeveri.

Analistët mendojnë se zvarritja e reformave do të rrezikojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme në prill të vitit të ardhshëm.

Reformat, të cilat dalin nga marrëveshja e ashtuquajtur e Përzhinës, e miratuar në qershor dhe korrik nga katër partitë kryesore, kanë ngecur dhe po kalojnë afatet kohore të parashikuara për zbatimin e tyre.

Së fundmi, mosmarrëveshjet midis partive kryesore kanë të bëjnë me emërimet e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Dhe pikërisht çështja ka ngecur tek propozimi i një kuadri shqiptar, të propozuar nga BDI dhe PDSH.

Lidhja Social Demokrate është ajo e cila e ka bllokuar zgjedhjen e tij, për shkak të, siç mësohet, afrimit me partinë e kryeministrit Gruevski, VMRO_DMNE. Nuk bëhet i ditur emri i këtij kandidati, ndërsa partitë politike thonë se bëhet fjalë për një nga tre ekspertët e propozuar për në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Zoran Zaev i LSD thotë se ekspertët duhet të jenë të pavarur politikisht dhe se partia e tij nuk ka asgjë kundër ndaj përkatësisë etnike të kandidatit:

"Ne, - thotë ai, - shpesh kemi patur kandidatë shqiptarë në listat tona edhe për KSHZ edhe për në prokurori dhe vende të tjera. Ne kërkojmë që të jenë të pranueshëm nga të gjitha partitë politike dhe të mos jenë të ndarë midis VMRO-së, BDI-së e PDSH-së, apo LSDM-së", - thotë zoti Zaev, duke shtuar se në atë rast ata nuk do të ishin ekspertë.

Ndërkohë, drejtuesi i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Nikolla Gruevski thotë se partia e tij ka mbështetje në rritje nga popullata shqiptare, por se me atë njeri, siç e quan kandidatin shqiptar për KSHZ, nuk ka asnjë lidhje. Ai e akuzon LSDM-në për shkak të pretendimeve se "kandidati shqiptar është VMRO-ist".

Analistët, nga ana tjetër, mendojnë se përplasjet e këtilla politike vetëm se do ta vazhdojnë ngërçin politik me rrjedhojë rrezikimin e zgjedhjeve të parakohshme të caktuara për më 24 prill:

“Në përgjithësi, mendoj se Marrëveshja po hasë në pengesa, të cilat mund të reflektjnë ndaj datës së zgjedhjeve; Aq më tepër, nëse kryeministri refuzon të japë dorëheqjen në datën e paraparë, që do të ishte kulminacioni i ngërçit politik në zbatimin e Marrëveshjes (së Përzhinës) dhe kjo do të shtynte datën e zgjedhjeve, 24 prill, 2016”, - thotë analisti Naser Ziberi.

Ndërsa dy partitë maqedonase po kërkojnë mënyra për tërheqjen e votuesve të pakënaqur, shqiptarë me partitë e tyre, BDI dhe PDSH nuk komentojnë për këto zhvillime, ndërkohë që partitë e reja shqiptare nuk po mund të bashkohen rreth një platforme politike për një koalicion parazgjedhor.

XS
SM
MD
LG