Lidhje

Përplasje gjatë protestave në Shkup


Mbi dy mijë protestues u përleshën më policinë gjatë protestave në të cilat ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski

Policia maqedonase përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë rreth dy mijë protestues në Shkup që po kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski.

Ministria e Brendshme tha se të paktën dhjetë pjesëtarë të policisë janë lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit që ndezën zjarre dhe hodhën gurë dhe vezë mbi ndërtesën e qeverisë në Shkup. Tash për tash nuk ka të dhëna për numrin e protestuesve të lënduar dhe të arrestuar.

Protestat shpërthyen të martën në mbrëmje para selisë së qeverisë, pas publikimit nga opozita të bisedave të përgjuara të zyrtarëve qeveritarë lidhur me vrasjen e një të riu maqedonas, para katër vjetësh.

Të martën opozita e drejtuar nga Zoran Zaev publikoi biseda të përgjuara të Ministres së Brendshme Gordana Jankullovska me drejtorin e Shërbimit Sekret, me shefin e kabinetit të kryeministrit si dhe me vetë kryeministrin Nikolla Gruevski, për mbulimin e gjurmëve të vrasjes së të riut Martin Neshkovski nga një ish-truprojë e kryeministrit, gjatë një tubimi të partisë VMRO-DPMNE në Shkup.

Rasti në atë kohë pat nxitur mjaft protesta, ndërkohë që autoritetet dhe mjetet e informimit të afërta me pushtetin nuk raportonin ose njoftonin fare pak mbi mënyrën se si kishte humbur jetën 21 vjeçari maqedonas.

Pretendimet e udhëheqësit të opozitës janë kundërshtuar nga partia e kryeministrit, Nikolla Gruevski, VMRO DPMNE, e cila sërish e akuzoi zotin Zaev për destabilizim të vendit.

Në protestën e së martës mbrëma morën pjesë pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, ndërsa veçohet për herë të parë valëvitja së bashku e flamurit shtetëror maqedonas dhe atij shqiptar.

XS
SM
MD
LG