Lidhje

Reagime në rajon për zhvillimet në Maqedoni


Tirana dhe Prishtina dënojnë dhunën në Maqedoni dhe bëjnë thirrje për qetësi. Ministri i Jashtëm Bushati "e papranueshme që cdo person apo grup personash të armatosur të identifikohen etnikisht Serbia shton praninë e policisë në kufi.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati i cilësoi dramatike zhvillimet e sotme në Maqedoni në zonën e Kumanovës, në një lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ku në orët e para të ditës, policia maqedonase nisi një operacion të gjerë kundër një grupi të armatosur i cili sipas saj synonte të organizonte sulme ndaj institucioneve shtetërore të Maqedonisë. Njoftimet flasin për disa të vrarë e të plagosur, por ende nuk ka një bilanc të konfirmuar zyrtarisht.

Shprehim keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore dhe në ketë kontekst nxisim autoritetet në Maqedoni për transparence, bashkëpunim dhe hetim të plotë në përcaktimin e fakteve. Mesazhi ynë është i qartë: dënojmë cdo akt dhune; duke e konsideruar atë të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Njëkohësisht – nënvizoi ministri Bushati - konsiderojmë të papranueshme që cdo person apo grup personash të armatosur të identifikohen etnikisht, ashtu sikundër është e papranueshme që humbja e jetes së civilëve e policiëve të vendoset në sfondin e paragjykimit etnik”.

Ministri shqiptar tha se autoritetet shqiptare mirëkuptojnë “shprehjen e revoltës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një paqartësie. Por, bëjmë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Cdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës, nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë. Gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe perspektivës euro-atlantike. Harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, me bekimin e komunitetit ndërkombëtarë, është thelbësore për stabilitetin demokratik dhe busull orientuese për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë”, theksoi ministri Bushati duke treguar se autoritetet shqiptare janë në kontat të vazhdueshëm “me autoritetet dhe aktorët politikë e shoqëror në Maqedoni, dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Reagime ka patur edhe nga Partia demokratike, forca kryesore e opozitës shqiptare. “Dhuna dhe mjetet e forcës janë rruga më e gabuar për të zgjidhur problemet. Partia Demokratike u bën thirrje autoriteteve maqedonase të garantojnë jetën dhe pronën e popullatës civile. Përdorimi disproporcional i forcës është i dëmshëm”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike e cila “i kërkon popullatës shqiptare dhe faktorit politik shqiptar në Maqedoni, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të shmangin provokimet. Stabiliteti dhe integrimi euroatlantik i Maqedonisë është interes jetik i qytetarëve të saj. Respektimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit është një rrugë e sigurtë drejt këtij qëllimi”, përfundon deklarata.

Ndaj zhvillimeve të sotme në Maqedoni reagoi edhe Ministria e Jashtme e Kosovës. Në një komunikatë thuhet se Kosova “dënon ashpër cenimin e rendit dhe sigurisë nga çfarëdo individi apo grupi me qëllime destabilizuese në Maqedoni. MPJ njëkohësisht apelon tek të gjitha palët që të përmbahen nga dhuna dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut politik, në kuadër të institucioneve të vendit dhe Marrëveshjes së Ohrit, që garanton integritetin e Maqedonisë dhe përmbushjen e të drejtave të komuniteteve”.

Serbia ndërkaq ka vendosur qindra trupa shtesë të policisë në kufirin më Maqedoninë dhe në zonën tokësore të sigurisë në kufirin me Kosovën pas përleshjeve të armatosura në Kumanovë.

Për shkak të situatës në Maqedoni kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, ka thirrur për të dielën takim emergjent të Zyrës për bashkërendimin e shërbimeve të sigurimit.

XS
SM
MD
LG