Lidhje

Situata politike në Maqedoni


Dhjetra mijëra banorë në Maqedoni kanë protestuar këtë javë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, ndërkohë që kjo e fundit organizoi një tubim në mbështetje të saj me pjesëmarrjen e po dhjetra mijëra vetëve. Shtimi i tensioneve politike është shkaktuar pjesërisht edhe nga pakënaqësia e vendeve të Ballkanit me periudhën e zgjatur drejt një anëtarësimi të mundshëm në Bashkimin Evropian. Maqedonia ka edhe problemin e shtuar me Greqinë që këmbëngul për ndryshimin e emrit të këtij vendi.

Ekspertët thonë se kryeministri Nikolla Gruevski është bërë gjithnjë e më autokratik pas rizgjedhjes disa herë në këtë post, i ndihmuar pjesërisht prej imponimit nga BE-ja të një proçesi jashtëzakonisht të ngadaltë për Maqedoninë dhe vendet e tjera të Ballkanit drejt anëtarësimit.

James Ker-Lindsay është me Universitetin “London School of Economics”:

“Qeveria nuk është përpjekur të bëjë ndryshime pasi nuk ka qënë e detyruar të kryejë reformat e duhura për ta afruar vendin më shumë NATO-n dhe BE-në dhe madje tashmë po lëviz sërish kundër idesë së një anëtarësimi në BE. Mendoj se kjo e bën edhe më të rrezikshme.”

Ish-përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Maqedoni, Erwan Fouere, është edhe më kritik ndaj qeverisë:

“Regjimi aktual ka humbur të gjithë kredibilitetin që kishte dhe legjitimitetin për të qenë në pushtet. Mendoj se e vetmja mënyrë që mund të rikthehet një proçes paqësor është me dorëheqjen e qeverisë dhe me hapjen e rrugës për një proçes tranzicioni.”

Disa prej protestuesve opozitarë kanë ngritur tenda për të vazhduar protestën. Por, shanset e tyre për t’ia dalë me sukses nuk janë të qarta. Zoti Ker-Lindsay thotë se nuk kanë gjasa të tërheqin vëmendjen që tërhoqën protestuesit në Ukrainë vitin e kaluar.

“Vendi nuk udhëton në atë vijë të ndërmjetme midis Lindjes dhe Perëndimit, si Ukraina.”

Megjithatë, ai thotë se politikat e BE-së kanë krijuar një hapësirë që Rusia të mundohet të shtojë ndikimin e saj në rajon.

Erwan Fouere nuk ka një shqetësim të ngjashëm:

“Nuk ka asnjë interes strategjik për Rusinë në këtë mes, përveçse të bezdisë Perëndimin dhe të thotë se Perëndimi nuk po përmbush siç duhet angazhimet ndaj Ballkanit.”

Angazhimi është për të sjellë vendet e Ballkanit në Bashkimin Evropian. Vonesat kanë të bëjnë me nevojën për reforma dhe shqetësimet për emigracion drejt vende aktuale të BE-së.

Zoti Ker-Lindsay thotë se BE-ja duhet të balancojë shqetësimet e saj me një mesazh të fortë që do të garantojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, megjithëse nuk ka gjasa që ky anëtarësim të ndodhë edhe për disa vite të tjera.

XS
SM
MD
LG